Kreu i shtetit ka firmosur dekretin për emërimin e kryeministrit Edi Rama edhe në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Në dekret, Meta sqaron edhe debatin nëse Kushtetuta e lejon që kreu i ekzekutivit të mbajë edhe post ministri. Kryeministri Rama vendosi që të marrë përkohësisht drejtimin e këtij dikasteri pas refuzimit që Meta i bëri emrit të Gent Cakajt.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme kryeministrin Edi Rama edhe në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, pas shkarkimit të Ditmir Bushatit, që ka mbajtur këtë detyrë deri tani. Debatit të krijuar në ditët e fundit nëse e lejon Kushtetuta, që kryeministri të mbajë edhe postin e ministrit, kreu i shtetit i përgjigjet duke sqaruar se ‘është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, zyra e shtypit të Presidentit thekson se dekreti është firmosur nga Meta ‘duke mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare’. Megjithatë kreu i shtetit thekson se ‘ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar’.
Me dekretin e sotëm merr fund, të paktën për momentin përplasja institucionale mes Presidencës dhe qeverisë, e cila nisi pas refuzimit që Meta i bëri emrit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm. Kryeministri ka paralajmëruar se çështjen nëse Presidenti ka të drejtë që të kthejë dekretet do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë pritet që në seancën e radhës, që është në datë 21 janar të firmosen dekretet e shkarkimit të Bushatit dhe të emërimit të kryeministrit Edi Rama edhe në postin e kryediplomatit të Shqipërisë.
Njoftimi i Presidencës për dekretin
Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.
Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që : Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.