Edhe pse besimi te globalizmi – një konspiracion nga lart poshtë për të imponuar një sistem ndërkombëtar që pengon sovranitetin kombëtar – mund të ketë vdekur, globalizimi është gjallë dhe shëndoshë e mirë. Megjithatë, një rend efikas dhe i qëndrueshëm ndërkombëtar, i përbërë nga shtete të fuqishme kombëtare, mbetet thelbësor.
Nga Lee Howell
A do të dalë më në fund nga apatia bashkëpunimi global në vitin 2019? Marrëveshja e fundit e komunitetit ndërkombëtar mbi një “rregullore” për zbatimin e marrëveshjes së klimës së Parisit duket se ofron njëfarë shprese. Por sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se shumë mbeten të shqetësuar se një recesion ekonomik botëror ose kriza e madhe gjeopolitike do të vërë në provë elasticitetin e sistemit ndërkombëtar. Dhe nuk është fare e qartë nëse sistemi do ta kalojë këtë provë.
Siç duket, ndoshta pengesat më të mëdha për bashkëpunimin ndërkombëtar janë politike. Në vitet e fundit, ka pasur një reagim të ashpër kundër bashkëpunimit ndërkombëtar, i rrënjosur pjesërisht në frikën – e nxitura nga liderët politikë populist në shumë vende – se elitat transnacionale po përpiqen të imponojnë “globalizmin”: një “ideologji që i jep përparësi rendit global neoliberal para interesave kombëtare.”
Por perspektivat që hedhin poshtë këtë narrativë duket se po fitojnë terren. Shumë udhëheqës botërorë besojnë se vendet perëndimore kanë shpërdoruar ndikimin e tyre mbi sistemin ndërkombëtar duke ndërhyrë politikisht dhe ushtarakisht në punët e të tjerëve pa asnjë përfundim të qartë. Disa gjithashtu argumentojnë se elita globale ka pretenduar vetëm të ndjekë ndryshimet socio-ekonomike, ndërsa në të vërtetë mban një status quo që ka përfituar nga ato.
Megjithatë, shumë besojnë se tani hierarkitë vertikale që kanë mbajtur gjatë rendin global po ndërpriten nga ndikimi politik dhe ekonomik në rritje i rrjeteve horizontale. Shpesh pohohet se edhe Shtetet e Bashkuara kanë kaluar nga mbështetja e sistemit multilateral në dëmtimin e tij.
Por, edhe pse besimi te globalizmi – një konspiracion nga lart poshtë për të imponuar një sistem ndërkombëtar që pengon sovranitetin kombëtar – mund të ketë vdekur, globalizimi është gjallë dhe mirë. Siç e shprehte historiani Yuval Harari në librin e tij Sapiens, historia vazhdon të lëvizë “ngadalë në drejtim të unitetit global”. Megjithatë, një rend i efektshëm dhe i qëndrueshëm ndërkombëtar, i përbërë nga shtete të fuqishme kombëtare, mbetet thelbësor.
Liderët botërorë nuk vënë në pikëpyetje nevojën për një rend të tillë. Përkundrazi sfida kryesore politike për bashkëpunimin global qëndron në menaxhimin e botës sonë të larmishme dhe pluraliste brenda arkitekturës institucionale, duke kapërcyer tendencën midis disa njerëzve për të lidhur ndonjë përpjekje për të formësuar globalizimin me globalizmin, internacionalizmin ose imperializmin.
Çfarë do të duhej për të ndërtuar një sistem më elastik, të aftë t’i bëjë ballë tronditjeve të papritura duke ruajtur funksionet e tij kryesore? Përgjigjja nuk është e prerë me thikë. Ndërkohë që ka pasur hulumtime të rëndësishme të kohëve të fundit në atë që e bën një person të qëndrueshëm, nuk ka shpjegim të qartë gjithëpërfshirës për atë që e bën elastik një vend ose një sistem ndërkombëtar.
Megjithatë, njerëzit duket se kanë një predispozitë të ndërtojnë sisteme të gjera organizimi. Në Sapiens, Harari tregon përpjekjet e tregtarëve, profetëve dhe pushtuesve, gjatë mijëvjeçarit, për “të vendosur një rend që do të ishte i zbatueshëm për të gjithë kudo”. Kjo e çon atë në vëzhgimin se njerëzit janë kafsha e vetme sociale “e udhëhequr nga interesat e të gjitha specieve të cilave ai i përket”.
Në terma praktikë, një rend ndërkombëtar i përditësuar duhet të marrë në konsideratë katër zhvillime të ndryshme që karakterizojnë mishërimin e fundit të globalizimit. Si fillim, bota po lëviz drejt një sistemi multipolar, në të cilin SHBA-ja nuk është më forca mbizotëruese ndërkombëtare. Për më tepër, kemi hyrë në epokën Antropocene, në të cilën aktiviteti njerëzor është ndikimi kryesor në klimën dhe mjedisin. Tani kemi aftësinë të shkatërrojmë specie të tjera në një mënyrë aq efektive saqë, siç paralajmëron Edëard O. Ëilson, mund “të eliminojmë më shumë se gjysmën e të gjitha specieve deri në fund të këtij shekulli”.
Së treti, pabarazia në rritje të ndjeshme e ka bërë përfshirjen ekonomike dhe barazinë një prioritet për shumë votues. Kjo do të formësojë politikën kombëtare për një të ardhme të parashikueshme dhe në këtë mënyrë do të ndihmojë për të përcaktuar fatin e rendit liberal aktual.
Së fundmi, ajo që Kryetari Ekzekutiv i WEF Klaus Schwab e quan Revolucioni i Katërt Industrial po na detyron të marrim në konsideratë mënyrën “se si teknologjia po prek jetën tonë dhe po riorganizon mjediset tona ekonomike, shoqërore, kulturore dhe njerëzore”. Për shembull, ekonomisti Richard Baldwin parashikon arbitrazh të normave të pagës në sektorin e shërbimeve, të mundësuar nga platformat digjitale. Si rezultat, ai paralajmëron, “qindra miliona punëtorë të sektorit të shërbimeve dhe profesionistë në ekonomitë e përparuara do të jenë – për herë të parë ndonjëherë – të ekspozuar ndaj sfidave dhe mundësive të globalizimit”.
Duke pasur parasysh natyrën zhvendosëse të globalizimit, mund të kuptohet më mirë në terma konceptual sesa si fenomen historik. Ky është arsyetimi i temës së takimit të ardhshëm vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër: “Globalizimi 4.0: Formësimi i një Arkitekture Globale në Epokën e Revolucionit të Katërt Industrial”.
Nuk do të jetë e lehtë të zbulosh se cila është mënyra më e mirë për të ndikuar në rrjedhën e globalizimit. Por edhe këtu njerëzit duket se kanë një prirje të natyrshme. Në të vërtetë, shumë shkencëtarë tani besojnë se e mendimi për të ardhmen është karakteristikë përcaktuese e njerëzve dhe shprehen se “shikimi nga e ardhmja, me vetëdije dhe pa vetëdije, është një funksion qendror i trurit tonë të madh” dhe se planifikimi i saj shkakton më pak stres dhe më shumë lumturi.
Ne jemi të vendosur të mendojmë për të ardhmen e planetit tonë dhe ajo e ardhme kërkon një arkitekturë institucionale më të fuqishme dhe më elastike që merr në konsideratë katër forcat kyçe që formësojnë Globalizimin 4.0. Ne duhet të punojmë për ndërtimin e saj.
Project Syndicate