Presidenti i Rusisë Vladimir Putin pretendonte se zgjerimi i NATO-s në Evropën Lindore është një “strategji shkatërruese”, e cila po rrit “mosbesimin dhe tensionet”.
Deklaratat e Putinit u bënë gjatë një interviste me dy gazeta serbe, përpara zhvillimit të një vizite në Serbi, një aleat tradicional i Rusisë.
“Politika e SHBA dhe e disa vendeve të tjera perëndimore në Ballkan, të cilët kërkojnë të mbrojnë dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizues”, tha Putin, duke theksuar se kjo do të rrisë më tej mosbesimin dhe tensionet në Evropë, në vend që të përmirësojë stabilitetin.
Tabloidi britanik Express thotë se një numër vendesh në Ballkan, historikisht të paqëndrueshëm, po përpiqen të bashkohen me NATO-n apo BE-në, duke zemëruar Rusinë.
Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë aplikuar për t’u bashkuar me BE.
Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë kërkuar gjithashtu të bashkohen me NATO, një aleancë mbrojtëse perëndimore.
Putin argumentoi më tej se: “Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur që ne e shohim zgjerimin e NATO-s si një relikt i Luftës së Ftohtë, një strategji e keqe e informuar dhe destruktive ushtarake dhe politike”.
Presidenti Putin i bëri thirrje Presidentit të SHBA-së Donald Trump që të mos tërhiqet nga një traktat i madh i kontrollit të armëve bërthamore.
Në tetor Trump njoftoi se Amerika po tërhiqej nga marrëveshja ndërkombëtare, të cilën Presidenti i SHBA pretendon se Rusia po e shkel.