Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë “konspiracione” kundër Iranit, i cili po shënon 40-vjetorin e Revolucionit Islamik.
Duke iu adresuar mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin Azadi të Teheranit, Rohani tha se Irani është i vendosur për të zgjeruar fuqinë e tij ushtarake dhe programin raketor, pavarësisht presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
“Gjatë këtyre 40 vjetëve, e sidomos gjatë pesë vjetëve të fundit, kapacitetet ushtarake të Iranit kanë habitur botën”, tha Rohani.
“Sot, 85% e armëve, municioneve dhe pajisjeve [ushtarake] në vendin tonë bëhen nga industria jonë. Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë leje nga askush për të ndërtuar lloje të ndryshme të raketave”, tha ai.
Qindra-mijëra ushtarë, pjesëtarë të policisë, klerikë dhe qytetarë të zakonshëm i mbushën rrugët e qyteteve të tjera të Iranit për të kujtuar 11 shkurtin e vitit 1979, kur ndjekësit e klerikut fetar, Ruhollah Khomeini, kanë rrëzuar nga pushteti monarkun që mbështetej nga SHBA-ja, Reza Pahlavi.
Parullat që mbanin marshuesit lexonin: “Vdekje Amerikës”, “Vdekje Izraelit” dhe “40 vjet sfidë, 40 vjet të mposhtjes së SHBA-së”./REL