Ballina Aktualitet Rajoni Si u zbulua ngjarja e rëndë e Kavajës? Tmerri ka vazhduar për...

Si u zbulua ngjarja e rëndë e Kavajës? Tmerri ka vazhduar për 3 muaj

Të dhënat hetimore që gjenden në dosjen e Gjykatës së Durrësit për keqpërdorimin ndaj një nxënëseje në Kavajë, tregojnë se tmerri ka nisur në fillim të muajit Tetor 2018 para se ngjarja të denoncohej në polici më 29 Janar 2019.

Duke shmangur publikimin e pjesëve të dosjes hetimore që hedhin dritë mbi monstruozitetin e abuzimit të 14-vjeçares, ngjarja e rëndë u zbulua nga mësuesja kujdestare e nxënëses. Pasi mësuesja mësoi çfarë kishte ndodhur, vuri në dijeni nënën e të miturës, psikologen dhe drejtoreshën e shkollës.

“Të premten e javës përpara se të bënte kallëzimin penal mësuesja kujdestare, shtetasja M.B., e ka pyetur se çfarë marrëdhënie kishte ajo me A dhe pasi e mitura ia ka treguar të gjitha, mësuesja kujdestare ka njoftuar nënën e të miturës dhe ia ka treguar të gjitha në prani të drejtoreshës dhe psikologes së shkollës. Po kështu, të dielën në drekë e ka marrë në telefon mësuesja kujdestare dhe pasi ka shkuar në shkollë me nënën e saj është takuar me mësueses kujdestare, psikologen e shkollës, drejtoreshën e shkollës dhe drejtoreshën e arsimit. E mitura ka deklaruar gjithashtu se për shkak të kësaj ngjarje ka tentuar të bëjë edhe vetëvrasje, edhe pse është tip social dhe e shkathët. Pas paraqitjes së kallëzimit penal është proceduar me kqyrjen e vendeve të referuara nga e mitura dhe nga procesverbali i kqyrjes së vendeve rezulton se vendndodhja dhe gjendja e tyre përputhet me ato të përshkruara nga e mitura”, thuhet në dosjen e gjykatës.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu faktin e rëndë se 8 adoleshentët që shantazhonin të miturën përmes një videoje seksuale, synonin që ta shfrytëzonin seksualisht 14-vjeçaren me djem të tjerë kundrejt pagesës. Qëllimi i tyre ishte që me paratë që do të përfitonin, të blinin pajisje për lojëra në internet.

“Përpara se të paraqiste kallëzimin penal, e mitura ka ardhur në dijeni të faktit se djemtë po bënin plane që ajo të kryente marrëdhënie seksuale me shumë djemë të tjerë dhe me lekët që do t’i jepnin ata pasi të kryenin marrëdhënie seksuale, i mituri A do të blinte pajisje lojërash në internet”, evidentohet në dosjen hetimore.

Shtatë nga tetë adoleshentë të shkollës 9-vjeçare në Kavajë të përfshirë në këtë ngjarje, janë lënë në arrest në burg, ndërsa një person është në kërkim. /tvklan.al