Nëna me gjashtë fëmijë ka ngelur në qiell të hapur. Dikur ata jetonin në një shtëpi tredhomëshe, po në këtë hapësirë. Mirëpo mbrëmjen e së shtunës, në orën 19, shtëpinë e kaploi një zjarr i papritur, i cili ngërtheu me vete shtëpinë me të gjitha kujtimet e familjes Hamidoviq nga Konjarja e Mesme.
Këtu tani kanë ngelur vetëm disa orendi të djegura, të bëra shkrumb e hi. Babai kishte shkuar para një muaji në Kroaci për të punuar, e kur ndodhi aksidenti në shtëpi ishin tre fëmijë me gjyshin e tyre. Për fat të mirë gjyshi kishte arritur të nxjerrë fëmijët jashtë në kohë. Nëna e gjashtë fëmijëve, Naida, është falënderuese që i kanë shpëtuar fëmijët mbi të gjitha, ajo kërkon që kush ka mundësi t’i ndihmojë në këtë fatkeqësi, për hatër të fëmijëve.
‘’Anipse shtëpia ka qenë e vjetër, më është dhimbsur shumë. Shyqyr prej Zotit që Zoti m’i ka shpëtu fëmijët, vjehrrin faleminderit edhe atij shumë. Për momentin nevojë kam vetëm që fëmijët të kenë një shtëpi, sa për bukë kemi, vetëm një shtëpi të kemi. Një derë të kemi, një kulm, më shumë nuk dua. Normal fëmijët kërkojnë, atë natë djali thoshte më shkoi çanta, më shkuan librat. I thash leje se bëhen të gjitha. Me rëndësi fëmijët kanë shpëtuar, ai që ka mundësi falemnderit, falemnderit prej të gjithëve’’ u shpreh Naida Hamidoviq.
Fëmija më i vogël ende nuk ka mbushur një vjet ndërsa vajza më e madhe dhe e vetmja e familjes Amina, është 13 vjeçe. Ajo dhe tre vëllezërit e saj, sot ishin në shkollë, pa çanta dhe pa libra.
‘’Nga korridori filloi zjarri, pastaj në tavan, kështu diçka. Gjërat për në shkollë tjetër asgjë’’, tha Amina.
Zjarrfikësit të dalë në vendin e ngjarjes gjysmë ore pas marrjes së lajmit lokalizuan zjarrin, por nuk arritën ta shpëtojnë shtëpinë nga djegia. Në ndihmë atë natë dolën edhe fqinjët por nuk patën mundësi të ndihmojnë.
‘’Unë isha në shtëpi, djali erdhi nga Shkupi dhe më tha se diçka po digjet. Unë vrapova, bile isha këmbzbathur, deri sa dolëm zjarri kishte kapluar tërë shtëpinë.
Ujësjellsin e kemi pak larg, hidrante ne nuk kemi këtu afër, ngaqë nuk i kanë vendosur. E kanë rregulluar ujësjellësin por nuk ka hidrante zjarri. Nuk kemi patur asnjë mundësi për ta shuajtur zjarrin, me një zorrë të vogël që e kemi nuk kemi mund të bëjmë asgjë’’, theksoi Sekretari I Bashkësisë Lokale Azim Qerimi.
Bashkësia lokale u ka dalë në ndihmë familjes tetë antarëshe. Ata po grumbullojnë mejte për rregullimin e një shtëpie të re, por duhet edhe shumë ndihmë thonë ata. Sot përderisa ekipi ynë ishte aty një donator solli 12 mijë tulla për nisjen e shtëpisë. Sipas të gjitha gjasave zjarri është shkaktuar nga oxhaku.