Serbia duket se ka mbetur e surprizuar dhe e tmerruar nga lëvizja më e fundit e një pjese të ushtrisë së Shqipërisë drejt Kosovës, aty ku po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Stërvitja e përbashkët e Ushtrisë Shqiptare dhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qëllim frikësimin e popullit serb në krahinë”, ka thënë së fundmi Milovan Drecun, kryetari i Këshillit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë.
Ai madje ka deliruar në deklaratën e tij, duke pretenduar se stërvitja është përgatitje për dhunën eventuale në veri të Mitrovicës.
“Ata kanë okupuar, me hyrjen e forcave në pjesën tonë të territorit. Ndërsa nuk reagon OKB as KFOR-i. Si e ka lejuar KFOR-i praninë e forcës ushtarake që nuk është pjesë e KFOR-it? Pse nuk i ndaluan? Kush mori vendim politik që kjo të lejohet”, pyeti i frikësuar Drecun.
Sipas politikanit serb, stërvitja i dërgon porosi Beogradit se “ushtria shqiptare mund të ndihmojë Njësitë Speciale të Prishtinës të kryejnë spastrim etnik të serbëve dhe dëbimin e tyre”.
“Serbisë i është dërguar porosi e rrezikshme se prapë mund të ketë rrezik lufte, nëse ne tentojmë të mbrojmë popullin tonë, nëse ka dhunë në veri, atëherë Shqipëria do dërgojë ushtrinë e saj që të në kundërvihet dhe mund të kemi ushtrinë shqiptare në maje të Kopaonikut ku është vija administrative”, ankohet Drecun.