Ballina Bota Analiza ANALIZA: Rrugët e reja të Mëndafshit

ANALIZA: Rrugët e reja të Mëndafshit

Samiti i dytë i Rrugëve të reja të Mëndafshit, i nisur sot nga presidenti kinez, Xi Jinping, përuron projektin kryesor të tij për të vendosur Kinën në qendër të marrëdhënieve ekonomike globale.

Zyrtarisht i quajtur “Brezi dhe Rruga”, projekti ka për qëllim përmirësimin e lidhjeve të tregtisë ndërkontinentale përmes ndërtimit të porteve, rrugëve, hekurudhave apo parqeve industriale.

Kush janë mbështetësit?

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, aleatë të ngushtë të Kinës, janë të pranishëm së bashku me 35 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine, si dhe krerët e OKB-së dhe FMN-së.

Por, shumica e vendeve të Europës Perëndimore, të kujdesshëm në lidhje me projektin kinez, u përfaqësuan vetëm nga ministra ndërsa SHBA-ja nuk dërgoi askënd.

Franca përfaqësohet nga shefi i diplomacisë, Jean-Yves Le Drian.

Me përjashtim të kryeministrit italian, Giuseppe Conte, vendi i të cilit ju bashkua iniciativës kineze në mars, duke u shndërruar shteti i parë i G7-ës që veproi kështu.

Në total, forumi, i cili zgjat deri të shtunën, mbledh së bashku pjesëmarrës nga 150 vende, përfshirë Korenë e Veriut fqinje.

Qindra miliarda

Që kur Xi Jinping filloi Rrugët e reja të mëndafshit në vitin 2013, Kina ka investuar 80 miliardë euro në projekte të ndryshme dhe bankat kanë dhënë hua mes vlerës 175 deri në 265 miliardë, sipas Xiao Weiming, një zyrtar i lartë kinez përgjegjës për programin.

Cilat vende i janë bashkuar projektit?

Sipas Ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, 126 vende dhe 29 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar tashmë marrëveshje bashkëpunimi me Pekinin.

Megjithatë, një numër i caktuar i këtyre marrëveshjeve nuk japin mbështetje të pakushtëzuar për projektin kinez, por propozojnë bashkëpunim në vendet e treta ose në fushën e investimeve.

Trenat

Një linjë hekurudhore midis Kinës dhe Europës lidh 62 qytete kineze me 51 qytete europiane, të shpërndara në 15 vende. Këto trena kanë kryer 14 691 udhëtime që nga fillimi i aktivitetit të tyre në vitin 2011, sipas Pekinit.

Vlera totale e shkëmbimit të mallrave në të dyja drejtimet ka arritur 30 miliard euro në vitin 2018. Si pasojë e çekuilibrit tregtar bilateral, 94% e trenave që nisen nga Kina janë plot, ndërsa vetëm 71% e kthehen po plot.

Dy linja hekurudhore pritet të lidhin Kinën me Laosin dhe me Tajlandën.

Në Kenia, një hekurudhë e quajtur “Rrugët e Mëndafshit” lidh kryeqytetin Nairobi me Mombasan, portin kryesor të vendit që kufizohet me Oqeanin Indian.

Rrugët dhe portet

Në Pakistan, po ndërtohen një sërë infrastrukturash (rrugë, hekurudha, hidrocentrale) për të lidhur bregun jugor të vendit me qytetin kinez të Kashgarit (në veri-perëndim) përgjatë rrugës tregtare.

Projekti, i quajtur “Korridori Ekonomik Kinë-Pakistani”, përfshin ndërtimin e autostradave, të digave hidroelektrike dhe zhvillimin në portin pakistanez të Gwadar në Detin Arabik.

Islamabad, synon të stimulojë rritjen kombëtare; dhe Pekini, do që nëpërmjet këtij deti të ketë qasje në një rrugë më të shpejtë dhe më të sigurt për importin e naftës nga Lindja e Mesme.

Por projekti ngre pakënaqësi për Indinë, “korridori” kalon rrugën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani — një territor që Nju Delhi e konsideron të zënë ilegalisht.

@tn.lajmelokale
@tetovanews