Ballina Sport “Sy e veshë” nga Manchesteri: Javë vendimtare për 5 transferime të bujshme

“Sy e veshë” nga Manchesteri: Javë vendimtare për 5 transferime të bujshme

Merkatoja ka “ngritur” ndjeshëm temperaturat te klubi i Manchester United, pasi janë disa operacione të bujshme, që kanë mbetur pezull dhe që duhet të sistemohen në javën e ardhshme, duke qenë se merkatoja në Angli mbyllet më 8 gusht.

Kështu prioritet për “djajtë e kuq” është arritja e marrëveshjes me Leicesterin, për të transferuar në Manchester mbrojtësin Harry Maguire. Drejtuesit e United kanë gati një ofertë prej 80 milionë paundësh, për të marrë shërbimet e mbrojtësit të kombëtares angleze.

Nëse Maguire transferohet te Manchester United, atëherë do të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, duke parakaluar Virgil Van Dijk, ndërsa do të zgjidhte njëherë e mirë problemet e “djajve të kuq” në repartin e prapavijës.

Sa i përket merkatos në dalje, Romelu Lukaku u ka bërë apel drejtuesve që të ulin çmimin për kartonin e tij dhe të gjejnë një marrëveshje me Interin, pasi dëshiron të transferohet në kampionatin italian, ndërsa ka optimizëm se marrëveshja mund të mbyllet brenda kësaj jave, për shifrën e 75 milionë eurove.

Pretendimet e Manchester United kanë qenë për 83 milionë euro, por për të mos dalë kundër vullnetit të futbollistit, drejtuesit e klubit janë gati të pranojnë një skonto dhe të sistemojnë sa më shpejt këtë çështje, për të gjetur më pas edhe zëvendësuesin.

Vetë trajneri Solskjaer ka qenë i qartë në deklaratat e tij, duke thënë se çështja Lukaku duhet të marrë zgjidhje brenda ditës së mërkurë, për të pasur kohë të gjendet zëvendësuesi.

Francezi Ben Yadder i Sevillas dhe Aubameyang i Arsenalit janë kandidatët për të pasuar Lukakun te United.

Një tjetër futbollist që pritet të lërë “djajtë e kuq” këto ditë, është edhe mesfushori francez Paul Pogba, i cili kërkohet me ngulm nga Zinedine Zidane te Reali i Madridit.

Çmimi i kartonit të francezit është 150 milionë paundë, shifër të cilën madrilenët janë të gatshëm ta paguajnë menjëherë sapo të largojnë Gareth Bale.

Uellsiani është vetëm një hap larg firmës me kinezët e Jiangsu Suning dhe sapo të konkretizohet ky operacion, atëherë drejtuesit e Realit do të hidhen në sulm për të sjellë në Madrid edhe kampionin e botës, Paul Pogba.

Nga ana tjetër drejtuesit e “djajve të kuq” kanë arritur akordin me Lazion, për të marrë mesfushorin serb Sergei Milinkoviç-Saviç, për shifrën e 100 milionë eurove, por operacioni do të konkretizohet vetëm me largimin e Pogba.

Deri më datën 8 gusht kanë mbetur edhe 11 ditë, ndërsa e vetmja gjë e sigurt është që gjatë kësaj kohe, epiqendra e merkatos do të jetë pjesa e kuqe e Manchesterit, prej ngado të dalin vazhdimisht lajme bombastike.

@tn.lajmelokale
@tetovanews