Altin Zekaj, shef i seksionit të Rendit pranë komisariatit të Rinasit dhe gruaja e tij Valbona Zekaj, pedagoge tek Akademia e Mbrojtjes, janë mes të arrestuarve nga Policia pas një video që qarkulloi në rrjetet sociale, që tregonte disa persona që vidhnin ndihmat e mbledhura për banorët e prekur dhe të dëmtuar nga tërmeti i të martës së 26 nëntorit.
Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesat njoftoi një ditë më parë arrestimin e tyre dhe një zjarrfikësi që akuzohen se kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme pakosh ushqimore dhe 7 batanije.
18 pako me ushqime të një fondacioni që i kishte përgatitur për familjet në nevojë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mëson Panorama.
Por si arriti policia të gjente se kush i kishte vjedhur ndihmat.
Mes të arrestuarve është edhe zjarrfikësi Arben Taulla dhe komandanti i skuadrës në seksionin e rendit në komisariatin e Rinasit, Ervin Haxhillari. Ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me policinë duke treguar çfarë kishte ndodhur.
Nga hetimet Panorama ka mësuar se ishte pikërisht pedagogia Valbona Zekaj, e cila po hetohet në gjendje të lirë, ajo që siguronte ushqimet me anë të një shoqes së saj dhe më pas ja jepte bashkëshortit të saj, i cili urdhëronte Ervin Haxhillarin t’i dërgonte pakot me ushqime në banesën e prindërve të Valbonës, ku jetonte dhe vëllai i saj zjarrfikës, Alban Taulla.
Ka qenë data 28 nëntor 2019 kur Shërbimet e Ankesave në Ministrinë e Brendshme morën informacion se disa persona me uniform policie po kryenin vjedhjen e ndihmave të dhuruara për banorët e prekur nga tërmeti.
Mësohet se gjithcka është zbuluar pas përgjimeve të pedagoges. Kur ajo ka mësuar për prezencën e policisë në banesën e prindërve të saj, Valbona i ka kërkuar ndihmë një shoqes së saj që të shkojë në banesë dhe të tërheqë pakot me ndihma dhe t’i dorëzojë tek njësia administrative nr. 3 në Tiranë.
Komunikimi i përgjuar
Valbona Zekaj: “…një mikesha ime nga Kosova më ka sjellë 20 pako me ndihma tek shtëpia e mamit tim, ku nga këto 10 pako do t’i çoj Altini në komisariatin e policisë Rinas dhe 10 pako janë për njësinë administrative nr.3 në Tiranë për fëmijët në nevojë. Të lutem a mund të shkosh t’i marrësh tek shtëpia e mamit tim sepse unë jam në Shkodër me Altinin dhe mamaja ime nuk ka mundësi që t’i sjelli…”.
E. N.:“…dakord, por e mira do ishte që t’i dërgosh tek pika e grumbullimit e të gjitha ndihmave…”.