Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka anuluar të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet e shkollave dhe të universiteteve për në Itali, ku numri i të prekurve nga Covid19 po rritet me shpejtësi të madhe.
Në mbledhjen e fundit, Qeveria gjithashtu urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurojë sasi të konsiderueshme të maskave, dorezave, mjeteve dezinfektuese dhe veshjeve mbrojtëse për institucionet e sistemit për menaxhimin e integruar të kufijve me qëllim mbrojtjen e personelit si dhe të sigurojë mjete dezinfektuese dhe sapunë për shkollat dhe çerdhet e vendit.
Në vendin fqinj, dy persona gjatë ditës së martë, të dyshuar si të infektuar, rezultuan negativë pas testimeve të kryera.
Njëri kishte ardhur nga Milani në Shkup me avion, por edhe pse nuk kishte regjistruar simptoma të sëmundjes në aeroport, ishte ndjerë keq pasi kishte mbërritur në shtëpi. Pas izolimit dhe kryerjes së analizave, rezultoi se nuk ishte i infektuar.
Të njëjtin fat të mirë pati edhe i dyshuari i dytë, i cili kishte mbërritur në Shkup nga Dubai para disa ditësh. Edhe ai i kishte kaluar pa probleme kontrollin në aeroport, por ishte ndjerë keq në banesën e tij disa ditë më pas.