Bashkimi Europian duket se nuk ka ndërmend të rrijë duarkryq ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin frenat e dialogut Kosovë-Serbi.
Një ditë pasi presidenti Hashim Thaçi deklaroi se BE-ja kishte dështuar dhe se marrëveshja do të lihej në duart e SHBA-së, dy shtetet më të fuqishme të Unionit, kanë vendosur të ndërhyjnë.
Gjatë javës së ardhshme në Prishtinë pritet të arrijë një delegacion franko-gjerman, i përbërë nga këshilltarët më të besuar të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.
“BE-ja nuk ka mundur të bindë as pesë shtetet e saj anëtare të njohin Kosovën e jo më të bindë Serbinë”, ka deklaruar Thaçi.
Jan Hecker nga kabineti i kancelares gjermane dhe Emmanuel Bonne nga ekipi i presidentit të Francës do të zhvillojnë një sërë takimesh me kryeministrin Kurti, si dhe zytarë të LDK-së dhe VV-së.
Dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe heqja e taksës pritet që të jenë dy prej arsyeve kryesore të kësaj vizite. Edhe pse SHBA dhe i dërguari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi po udhëheqin prej muajsh bisedimesh, duke cuar në nënshkrimin e një sërë marrëveshjes.
Albin Kurti ka vendosur që të heqë taksën ndaj Serbisë fillimisht për lëndën e parë, ndërkohë vetë kreu i Qeverisë ka thënë se nga 1 prilli do ta heqin plotësisht tarifën 100 % për një periudhë 90-ditore nëse Serbia ndal fushatën kundër Kosovës. Por dhe pse po përballet me presion të jashtëzakonshëm nga SHBA-ja për heqjen e plotë të saj, BE-ja është treguar shumë më flekslible.
Qeveria e kancelares Merkel e ka parë vendimin e Kurtit si hapin e parë drejt heqjes së plotë të taksës.
Macron nga ana tjetër, ishte thënë se është i gatshëm të organizonte një samit në Paris për dialogun bashkë me kancelaren gjermane dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, por si fillim kishte thënë se taksa duhet hequr për të zhbllokuar situatën.
Vizita e këshilltarit të Macron është e rëndësishme edhe për shkak të qëndrimit të Parisit zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave, duke qenë se Ministrja e Punëve të Jashtme të Francës, kishte deklaruar se Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për të lëvizur lirshëm në Zonën Schengen.
Vizita e delegacionit franco-gjerman vjen disa ditë pasi Serbia pretendoi se vendosja e taksës ishte urdhëruar nga një fuqi e madhe europiane.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka zbuluar se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës nuk ishte çuar deri në fund për shkak të ndërhyrjes së një vendi të madh dhe të fuqishëm europian. Ky vend, sipas tij, i ka kërkuar Prishtinës të vendosë tarifat ndaj mallrave serbe, me qëllim që të detyrojë Serbinë të tërhiqet nga dialogu, i cili në atë moment ishte duke arritur një zgjidhje kompromisi.
“Një shans për demarkacionin ka humbur dhe sulmet ndaj Serbisë do të vazhdojnë të jenë të ashpra,” tha presidenti serb në një intervistë televizive. Vuçiç zbuloi se tarifat ishin futur me mbështetjen e një force perëndimore në mënyrë që Serbia të mos jetë në gjendje të marrë Veriun e Kosovës.