Ballina Aktualitet “Korona”, dy shtetas të huaj izolohen në dhomën e një hoteli në...

“Korona”, dy shtetas të huaj izolohen në dhomën e një hoteli në Shkup

Dy raste të reja që dyshohen për virus korona janë izoluar në dhomën e një hoteli në Qendër të Shkupit. Njëri është shtetas i Singaporit dhe tjetri nga Australia të cilët në Maqedoni kishin arritur më 28 shkurt nga Gjermania. Shfaqja e simptomаve tek ta kishte filluar para tre ditëve ndërsa autoritetet i kanë njoftuar përmes shërbimeve të hotelit. Ekipet e epidemiologëve kanë marrë mostra për testimin e tyre, ndërsa deri në fund të ditës do të dihet rezultati i analizave.

Për momentin të dy personat ndodhen në dhomën prej ku nuk kanë dalë disa ditë me radhë. Aty iu është marrë bris dhe aty janë të dy në izolim dhe nuk do të dalin derisa janë në izolim, nuk do të dalin derisa të arrijnë rezultatet – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Në Hotelin ku po qëndrojnë personat e dyshuar autoritetet kanë ndaluar hyrjen dhe daljen e të gjithë personave që ndodhen brenda Hotelit, por dhe të tjerëve të cilët dëshirojnë të hyjnë nga jashtë. Gjatë qëndrimit të ekipit të ALSAT para Hotelit u vërejte prezencë e forcave policore përpara hyrjes. Megjithatë qytetarët nuk shprehen të frikësuar nga ndonjë përhapje e madhe e virusit.

“Nuk ka tek ne korona. Asgjë nuk është e dyshimtë tani për tani. Nuk mbajmë maska”.

“Çdo ditë informohemi për gjendjen. Për t’u frikësuar nuk frikësohemi, duhet të mbajmë llogari se si të sillemi sipas rekomandimeve dhe nuk duhet as të kemi frikë nga ajo. Gjithë atë që e thotë ministria duhet ta respektojmë dhe e respektojmë. Unë dhe familja ime patëm rast, ku e injoruam një ngjarje për shkak të prezencës së numrit të madh të njerëzve”.

“Ka raste por i fshehin. Njerëzit heshtin, i fshehin rastet. Nuk e di pse, ai është një virus i thjeshtë, vetëm se shpërndahet panik te njerëzit. Unë për vete ndjehem i shëndoshë, virusi sulmon njerëzit me imunitet të dobët, ata të shëndoshit nuk i sulmon”.

Afati për ndalesë të mbledhjeve masive u vazhdua edhe për një javë tjetër. Nga 6 marsi, afati u vazhdua deri më 13 mars. Autoritetet njoftuan se që tani të gjithë personat të cilët do arrijnë në vendin tonë, pos fletushkave informative, përmes sms porosive do të njoftohen se çfarë duhet të bëjnë nëse ju shfaqen simptome. Deri më tash, rasti i vetëm i konfirmuar me virus korona në vend mbetet gruaja e cila vazhdon të qëndrojë në Klinikën Infektive në karantinë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews