Vrasja e afrikano-amerikanit, George Floyd nga një oficer i bardhë, i ka sjellë përsëri marrëdhëniet racore në Shtetet e Bashkuara në qendër të vëmendjes. Për zëvendës redaktoren menaxhuese të agjencisë Associated Press, Amanda Barrett, mbulimi i kësaj ngjarjeje si një gazetare afrikano-amerikane, do të thotë që edhe një herë të shpjegojë përvojën e popullatës me ngjyrë për pjesën tjetër të Amerikës. Kjo situatë ka nxjerrë në pah edhe pabarazinë për këtë grup në kushtet kur përballet jo vetëm me koronavirusin por edhe me racizmin.
Protestues të zemëruar nga vdekja e afrikano-amerikanit, George Floyd.
Ata duan drejtësi jo vetëm për të, por edhe viktima të tjera të forcës së tepruar të policisë.
Floyd vdiq kur një polic vuri gjurin në qafën e tij, duke i zënë frymën.
Incidenti u shpalos në postimet në Twitter, ku Amanda Barrrett, po e ndiqte ndërsa ashtu si shumë nga kolegët e tjerë po punonte nga shtëpia për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ajo menjëherë iu fut punës, si një nga drejtueset e agjencisë së lajmeve. Ajo i la ndjenjat e saj personale mënjanë, duke u fokusuar tek ndjekja e ngjarjes me shpejtësi nga kolegët e saj, duke mbuluar zemërimin në rritje jo vetëm në media sociale, por edhe në rrugët e Mineapolisit dhe qytete të tjera.
Por, duke qenë vetë afrikano-amerikane, Barrett po përjetonte një turbullim të brendshëm, me ndjenja që kalonin nga zemërimi tek rraskapitja.
“Pashë videon dhe u tmerrova. U trishtova dhe diçka m’u këput përbrenda. Por e dija që duhet t’i lija këto ndjenja mënjanë për të bërë punën e gazetares. Kështu menjëherë u lidha me kolegët e mi që mbulojnë atë zonë, për t’u siguruar që e kishin parë, që të kishim lajmin dhe si mund ta zgjeronim mbulimin e ngjarjes. E dija rëndësinë e saj. Por zemrën e kisha copë, sa herë e rishihja”, thotë Barrett.
Kalimtarët e kishin kapur incidentin në kamera. Pamje filmike tregojnë zotin Floyd tek i përgjërohet oficerit Derek Chauvin, t’i heqë gjurin pasi nuk po merrte dot frymë.
Barrett thotë se ky rast është shumë i ngjashëm me atë të një afrikano-amerikani tjetër që vdiq në vitin 2014, Eric Garner.
“Duke filluar nga fakti që George Floyd tha ‘nuk marr dot frymë’, të njëjtat fjalë që tha Eric Garner, para se të vdiste. Po ashtu mund ta shohim tek protestat. Edhe për rastin e Garnerit, shumë njerëz dolën nëpër rrugë. Dhe sot shohim se si njerëzit po dalin për të shprehur indinjatën, të shprehin ndjenjat e tyre që gjërat duhet të ndryshojnë”, thotë Barrett.
Garner vdiq pasi një polic e zuri nga fyti. Polici më pas u pushua nga puna. Policia kishte dyshuar se Garner shiste cigare në rrugët e Staten Island.
Afrikano-amerikanët shihen si të rrezikshëm nga të bardhët siç ishte rasti i vrojtuesit të zogjve, Christian Cooper.
Me kameran e telefonit ai filmoi një grua të bardhë, Amy Cooper e cila po telefononte policinë për të raportuar se po kërcënohej nga një burrë afrikano-amerikan. Pasi Christian Cooper e postoi videon në Facebook dhe në Twitter, Amy Cooper u akuzua për racizëm dhe u pushua nga puna.
“Ishte diçka shumë e frikshme për disa arsye. Së pari sepse përçonte sinjalin se ajo mendonte se mund të përdorte policinë sipas dëshirës për të kërcënuar një afrikano-amerikan. Dhe së dyti, duke pasur parasysh se çfarë ndodh vazhdimisht në këtë vend, siguria e tij nuk ishte e garantuar, nëse policia vinte. Po ashtu është një shembull se ne nuk jemi të mirëpritur në ambjente kryesisht të të bardhëve. Ai duhej të ishte i lirë të vrojtonte zogjtë, por në këtë rast nuk ishte”, thotë Barrett.
Christian Cooper tha se u ndje i vënë nën shënjestër dhe Barrett tha se kjo nuk është e pazakontë.
“Po të flasësh me afrikano-amerikanët, do të të tregojnë se si u kanë ndodhur gjëra vetëm nga ngjyra e tyre. Mund të hyjnë në një dyqan si gjithkush tjetër dhe i ndjekin. Ka nga ata që kalojnë nga ana tjetër e rrugës kur i shohin. Ka mjaft veprime të vogla ofenduese kundër tyre. Dikush del nga ashensori që të mos jetë në një vend me dikë të racës së zezë”, thotë ajo.
Ahmaud Arbery, një afrikano-amerikan që kishte dalë për vrap në Georgia, u vra nga babë e bir që e ndoqën me vrap në lagjen e tij në shkurt. Akuzat ndaj tyre nuk u ngritën deri kur videoja u përhap pas dy muajsh.
“Kur sheh rastet e Christian Cooper-it, Ahmaud Arbery-t dhe George Floyd-it, e kupton që ka një prirje për dhunë policore dhe lloje të tjera dhune kundër afrikano-amerikanëve. Nuk është e pazakontë. Dhe kjo u ka hapur sytë shumë njerëzve në gjithë vendin dhe në botë, siç duket nga protestat”, thotë Barrett.
Kjo epidemi e racizmit po shpaloset duke pasur si sfond epideminë COVID-19.
Padrejtësitë e rrënjosura i ekspozojnë afrikano-amerikanët më shumë ndaj koronavirusit.
“Njerëzit me ngjyrë janë prekur në mënyrë joproporcionale, janë sëmurur dhe kanë vdekur në një numër të madh, pjesërisht për shkak të pabarazive sistematike në sistemin shëndetësor. Pra ne kemi një pabarazi në sistem dhe racizëm sistematik. Dhe kjo shihet nga numri i të vdekurve, e incidenteve. Dhe shihet tek numri i njerëzve që po vdesin nga koronavirusi”, thotë gazetarja e Associated Press.
Duke qenë gazetare, Barrett nuk mund të marrë pjesë në protestë, pasi kjo do to komprometonte paanësinë e saj gazetareske.
Por, ajo thotë se është lodhur duke rrëfyer të njëjtën histori pa pushim, dhe duke shpjeguar se ç’do të thotë të jesh afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara.
“Më bezdis fakti që si gazetare afrikano-amerikane duhet t’i shpjegoj gjithmonë e gjithmonë përvojën tonë pjesës tjetër të Amerikës. Duhet të shpjegoj se si ne e frenojmë veten, rreziqet me të cilat përballemi nga policia dhe të tjerë. Dhe sa herë që dikush vritet duhet të shpjegoj, duhet të rrëfej edhe një herë se ç’do të thotë të jetosh kështu. Dhe është shumë shkurajuese sepse nuk janë këto historitë që unë dua të tregoj. Dua të tregoj histori të reja për audienca që nuk i kemi zbuluar ende. Dua të shpjegoj koncepte të reja për njerëzit. E megjithatë, na duhet t’i rikthehemi rreziqeve me të cilat përballen afrikano-amerikanët”, thotë Barrett.
Ajo është e vendosur të vazhdojë të rrëfejë historitë e atyre, zërat e të cilëve nuk dëgjohen dhe të vënë para përgjegjësisë ata që janë në pushtet.(VOA)