Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, denoncoi presidentin Donald Trump, duke thënë se ai kërkon qëllimisht të përçajë vendin.
Ish-gjenerali pohoi se ishte i zemëruar dhe tmerruar me mënyrën se si Trump po i menaxhon protestat lidhur me vdekjen e afro-amerikanit George Floyd në duar të policisë. Ai kritikoi ish-shefin për abuzim me postin dhe mbështeti protestuesit që kërkojnë të ruajnë vlerat amerikane.
“Donald Trump është i vetmi president që nuk përpiqet të bashkojë popullin amerikan. Në vend të kësaj, ai na përçan. Po dëshmojmë pasojat e 3 viteve përpjekje të qëllimshme. Po dëshmojmë pasojat e 3 viteve pa lidership të pjekur”, u shpreh, James Mattis, ish-sekretar i mbrojtjes.
Ish-sekretari, i cili në letrën e tij të dorëheqjes në vitin 2018, kritikoi politikën e jashtme të presidentit Trump, u kërkoi protestuesve të mos hiqnin dorë nga kauza e tyre për shkak të një numri ligjvënësish, dhe dënoi përdorimin e ushtrisë për shuarjen e trazirave. Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj ish-kreu të Pentagonit përmes një serie postimesh në rrjetin social Twitter, ku pretendon se Mattis nuk ishte dorëhequr, por shkarkuar prej tij.
“Nuk më pëlqente stili i ‘lidershipit’, apo shumë gjëra të tjera të tij. Edhe shumë të tjerë e mendonin si unë. I lumtur që iku”.
Përplasja mes Trump dhe Mattis, vjen mes ngritjes së akuzave kundër të gjithë policëve të pranishëm në momentin e arrestimit dhe vdekjes së George Floyd. Efektivi që vendosi gjunjët mbi qafën e 46-vjeçarit, Derek Chauvin akuzohet për vrasje të shkallës së dytë, ndërsa 3 të tjerët, do të përballen më akuza për bashkëpunim dhe mbështetje të vrasjes.