Florida raportoi të dielën një rritje rekord me më shumë se 15 mijë raste të reja me COVID-19 brenda 24 orësh. Njoftimi vjen ndërsa administrata Trump ka ripërsëritur thirrjet për hapjen e shkollave e ndërsa në Miçigan dhe Mizuri janë planifikuar prot*esta kundër maskave. Sipas një analize të “Reuters” nëse Florida do të ishte një vend më vete, do të renditej në vendin e katërt në botë për nga raste e reja me koronavirus në një ditë, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indisë.
Rritjet ditore në Florida me raste të reja kanë tejkaluar numrin më të lartë të raportimeve ditore të çdo vendi evropian të shënuar gjatë pikut të pandemisë. Ajo ka thyer rekordin e shtetit të Nju Jorkut prej 12.847 rastesh të reja më 10 prill, kur ishte epiqendra e shpërthimit në SHBA. Rritja e fundit u raportua një ditë pasi “Walt Disney World” në Orlando u rihap për një numër të kufizuar vizitorësh të cilët u mirëpritën me një mori masash sigurie, përfshirë maskat dhe kontrollin e temperaturës.
Aktivistët kundër mbatjes së maskave në disa shtete, përfshirë Floridën dhe Miçiganin, kanë organizuar protesta kundër vendimeve të autoriteteve lokale për t’i bërë ato të detyrueshme, duke argumentuar se masat cënojnë lirinë e gjithësecilit.
Infeksionet me koronavirus kanë pësuar rritje në rreth 40 shtete, sipas një analize të “Reuters”. Në shkallë kombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë thyer rekordin botëror duke regjistruar rreth 60 mijë raste të reja në ditë për katër ditë rresht, po sipas “Reuters”.
Në spitale është rritur numri i të shtruarve në shtete si Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi.
Përballë një ekonomie të dëmtuar dhe ndërsa po afrojnë zgjedhjet e nëntorit Presidenti Donald Trump u ka bërë presion shteteve që të rihapin bizneset dhe shkollat. Sekretarja e Arsimit Betsy DeVos tha të dielën se departamenti i saj nuk kishte ndonjë plan të vetin për të reklamuar për rihapje së sigurt duke shtuar se secili qark apo shtet duhet të hartojë planet e veta, bazuar në nivelet e infeksioneve me koronavirus.
Ndërkohë në SHBA ashtu sikurse kishin parashikuar ekspertët, rastet e vdekjeve si pasojë e koronavirusit po shënojnë rritje, nxitur kryesisht nga situata në shtetet në jug dhe perëndim të vendit. Lajmi u njoftua nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Prej disa kohësh numri i vdekjeve në ditë nga virusi kishte shënuar rënie dhe po vazhdonte të ishte në shifra të ulta edhe pas shtimit të rasteve të të infektuarve në shtete si Florida dhe Teksasi që u përballën me nivele rekord ditore. Por shkencëtarët kishin paralajmëruar se kjo situatë nuk do të zgjaste.
Sipas ekspertëve vdekjet nga koronavirusi, zakonisht ndodhin disa javë pasi një person infektohet. Ata parashikuan se shtetet që shënuan rritje të rasteve dhe shtrimeve në spital, do të përballeshin në një moment me një numër në rritje të vdekjeve.
Kalifornia ka shënuar mesatarisht 91 vdekje në ditë ndërsa Teksasi rreth 66. Florida, Arizona, Ilinois, Nju Xhersi dhe Karolina e Jugut kanë shënuar gjithashtu rritje të konsiderueshme.
Numri i të infektuarve nga COVID-19 në SHBA ka arritur në mbi 3.2 milionë dhe atyre që kanë humbur jetën në mbi 134 mijë persona që prej përhapjes së virusit.