Për shkak të kapaciteteve dhe rezervave të kufizuara të testeve mjaft politikanë dhe ekspertë mendojnë që fokusi i testimeve nuk duhet të përqendrohet më tek udhëtarët.
Për shkak se laboratorët e kanë shumë të vështirë të përballojnë testet e shumta të Coronës ata kanë kërkuar që të ndryshohen rregullat për testimin e pushuesve që kthehen në Gjermani nga vende të ndryshme që konsiderohen si zona rreziku.
Për këtë ministri federal i Shëndetësisë, Jens Spahn ka sugjeruar që për udhëtarët që kthehen në Gjermani nga zonat me rrezik të lartë të rivendoset rregulli i karantinës së detyrueshme në vend të testimit për COVID-19 pas mbërritjes në Gjermani.
Ngarkesë e madhe në qendrat e testimit
Mbi 40 përqind e personave që janë testuar pozitivisht me Covid-10 gjatë ditëve të fundit në Gjermani duhet se janë infektuar pas gjithë gjasash jashtë vendit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë laboratorët në Gjermani janë duke bërë aktualisht rreth 875,000 teste në javë.
Por megjithë ngarkesën e madhe të qendrave të testimit dhe të laboratorëve një numër i madh i gjermanëve janë në favor të politikës së detyrueshme të testimit. Sipas sondazhit më të fundit të Deutschlandtrend të bërë për TV publik ARD, 93% e popullsisë thanë se kjo masë është një kërkesë e arsyeshme për të imponuar me detyrim.
Testet duhet të përqendrohen tek spitalet dhe të moshuarit
Për shkak të kapaciteteve dhe rezervave të kufizuara të testeve mjaft politikanë dhe ekspertë mendojnë që fokusi i testimeve nuk duhet të përqendrohet më tek udhëtarët që kthehen në Gjermani pas pushimeve të verës apo vijnë nga vende të rrezikshme, por duhet të përqendrohen drejt spitaleve dhe qendrave të përkujdesjes për të moshuarit.
Gjatë pushimeve janë infektuar më tepër të rinj që merrnin pjesë në party, tha ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, por tani pas pushimeve të verës, është me vend që “kapacitetet e testimit të përqendrohen më shumë tek të moshuarit dhe në institucionet e sistemit shëndetësor. Disa politikanë kërkojnë që në fokus të përfshihen edhe shkollat dhe kopshtet.
Kryetari i Fondacionit gjerman për Mbrojtjen e Pacientëve, Eugen Brysch, tha deri tani kursi për testimet i ngjan një zig-zagu dhe kjo është pikërisht ajo që i bën njerëzit të ndjehen të pasigurt./DW