Presidenti i Algjerisë Abdelmadjid Tabboune ka bërë lajm dje teksa përmes një fjalimi akuzoi Francën për krime kundër njerëzimit gjatë dominimit kolonial prej saj të Algjerisë. Fjalimi u mbajt me rastin e Ditës së Muhajid që përkujton veteranët e Luftës së Pavarësisë e cila u zhvillua mes viteve 1954-1962.
“Krimet ekspozuan edhe njëherë falsitetin e sloganit të qytetërimit francez”, citohet presidenti.
Ky është një mesazh i qartë që tejkalon sentimentet historike, por aktualizon një marrëdhënie të vështirë të Francës në Mesdhe, aty ku ajo po do të shfaqet si fuqi e madhe. Dhe ku mesa duket po do të kufizojë ambiciet e Turqisë.
Gazeta turke, “Daily Sabah” shkruante kohë më parë se ndryshimi në presidencën algjeriane ka përcaktuar ndryshime në politikën e jashtme të vendit. Ish-presidenti algjerian, Abdelaziz Bouteflika kishte në fokus marrëdhëniet me Francën dhe çdo lëvizje nga ky aks e cilësonte vijë të kuqe.
“Përgjatë dy dekadave të presidencës së Bouteflikas, lobi francez ishte shumë i fuqishëm në terma të bashkëpubnimit “të biznesit” që i ekspozoi institucionet shtetërore ndaj disa kërcënimeve të sigurisë kombëtare. Oligarkët kanë antagonizuar qëllimisht marrëdhëniet turko-algjeriane ku mund të kujtohet deklarata famëkeqe e ish-kryeministrit Ahmed Ouyahia-tashmë në burg nën akuzën e korrupsionit – që kritikoi presidentin Erdogan pse nënvizoi mizoritë e Francës në Algjeri, duke i kërkuar Parisit të marrë përgjegjësi për të shkuarën koloniale”.
Aktualisht Turqia figuron si investitori i parë në Algjeri duke mos fshehur kështu ambicien për të zëvendësuar ndikimin francez në zonë. Duhet thënë se Turqia me këtë rast po do të ndryshojë edhe narrativën mbi të shkuarën osmane në këto vende, një lëvizje që nuk mirëpirtte kudo. Atë që Franca e humbi në Algjeri, po e kërkon së fundmi në Libanin e dërrmuar nga një shpërthim masiv në Bjerut më 4 gusht. Presidenti francez Emmanuel Macron ishte i pari lider që u shfaq në Liban pas shpërthimit duke folur madje edhe për një “rend të ri politik”, diçka që sfidon rendin aktual sektar të Libanit dhe që sugjeron ndryshimin e balancës së pushtetit.
“Kjo ishte shumë edhe për francezët teksa ai duket se po pretendon të formësojë të ardhmen e Libanit sikur të nisej aty ku francezët e lanë, pra në fund të mandatit të tyre më 1940…Shumë nga liderët të cilët Macron i fajësoi për rendin e korruptuar kanë qenë prej kohësh miq në Paris, përfshirë Saad Haririn, që ishte për katër vjet kryeministër nga gjashtë vitet e depozitimit të nitratit të amonit në port. Për më tepër që sistemi sektar që qëndron pas problemeve të Libanit është në thelb një produkt francez, edhe pse i rishikuar nën marrëveshjen e Taif më 1989, dhe Franca e ka mbrojtur përherë atë”, shkruan ndër të tjera gazetari turk Fehim Tastekin që vë në dukje se në Liban punët nuk janë mirë as për Erdoganin. Periudha osmane në këtë vend nuk përtypet aq lehtë qoftë për arsye historike, qoftë për shkak të përbërjes së popullsisë së këtij vendi. Në këtë kuadër Macron po lëviz formalisht në emër të mbrojtjes së popullit libanez nga ndërhyrja e fuqive të tjera, ndërkohë që në fakt ai po tenton të mbushë një vakuum dhe të pozicionojë Francën në kontekstin e një loje të madhe që po zhvilllohet në Mesdhe. Qëndrimi aktiv i Francës pro Greqisë në përballjen në Mesdheun Lindor nuk duket të ketë asgjë europiane veç interesave të Francës që rishfaqet në një rajon ku bashkë me të tjerë krijoi probleme shumë të mëdha. Sepse duket se kufijtë e përcaktuar me një të rënë të lapsit një shekull më parë vetëm paqe nuk prodhojnë.
Nga ana tjetër politika e Macron në këtë rajon nuk ka ndonjë mbështetje europian, megjithë mirëkuptimin e arritur me Merkel së fundmi për të mos lejuar prekjen e sovranitetit të vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa është e qartë se ky mesazh i referohet Greqisë, nuk është e qartë se çfarë do të bëjë Gjermania dhe Franca nëse nis një luftë mes Turqisë dhe Greqisë, kur dihet se të katërta janë anëtare të NATO-s.
Macron nuk ka munguar të luajë si vizionar në Europë. Ai flet për reforma të BE-së përpara se ajo të zgjerohet, merr protagonizëm në Mesdhe përtej vizibilitetit normal francez dhe ka bërë të qartë se nuk e pranon vijimin e negociatave me Turqinë. Në të vërtetë nuk ka asgjë të re në këtë politikë që është formuluar faktikisht nga ish-presidenti Nicolas Sarkozi, i cili në vitin 2007 propozoi të ashtuquajturën Iniciativë për një Union të Mesdheut ku evokohej roli historik I Francës, Spanjës, Greqisë, Italisë, Portugalisë dhe Qipros. Politika në fjalë ka të brendashkruar një përmasë të qartë antiturke dhe Sarkozi ishte ai që kërkoi që BE të mos zgjerohej sepse do të defunksionalizohej si dhe përmbysi politikën e Shirak që ishte avokat i anëtarësimit të Turqisë.
Sot Macron po ecën në gjurmët e paraardhësit duke çuar formalisht përpara interesat franceze, por që deri më tani i kanë siguruar protagonizëm dhe asgjë më shumë si dhe kanë përcaktuar një politikë antiturke brenda BE-së. Në këtë kuadër duhet lexuar edhe qëndrimet e tanishme të Francës ndaj rajonit tonë ku luhet përhëerë e më shumë për ndikim, pa i dhënë as më shumë e as më pak rëndësi, pikërisht sepse rajoni ynë është periferi.
Ajo që ka rëndësi të theksohet është fakti se prania e një vendi si Franca në Mesdhe, ku ajo po e profilizon veten si Fuqi e Madhe dhe nuk i fsheh ambiciet ekonomike dhe preferencat për ish-kolonitë e veta, çon në acarim dhe konflikt pasi dialogu si emërues i përbashkët i paqes dhe kredenciale kryesore e BE-së është zhbërë. Macron në dallim nga Merkel p.sh po kërkon diçka të madhe, që ta përputhë me deliret dhe vizionet e veta dhe në një farë mënyre ai e ka militarizuar më shumë gjuhën sesa Berlini zyrtar. Por sa mjafton kjo përballë fuqive si Turqia kjo mbetet për t’u parë sikundër munda të kuptojmë se pasojat e këtij rivaliteti do t’i ndjejë edhe Ballkani që përherë ka qenë tokë e djegur.