Ballina Bota Izolacionisti Trump apo liberali Biden? Amerika zgjedh Presidentin që duhet ta nxjerrë...

Izolacionisti Trump apo liberali Biden? Amerika zgjedh Presidentin që duhet ta nxjerrë nga kriza

Trump apo Biden?!. Jo vetëm Shtetet e Bashkuara, po e gjithë bota do të mbajnë frymën në 3 nëntor, kur shteti më i fuqishëm në botë do të zgjedhë presidentin e ri. Cilat janë filozofitë ekonomike të dy kandidatëve. Çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe Kosovën fitorja e Trump ose Biden

Njeriu që do të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara në nëntor 2020, do të ketë një detyrë sfiduese – menaxhimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit, pas një pandemie globale që shkaktoi rritjen e papunësisë në nivele të cilat nuk janë parë që nga koha e Depresionit të Madh.

FMN parashikon që prodhimi ekonomik i SHBA-së do të ulet me 8% këtë vit, pas rritjes së PBB me 2.3% vitin e kaluar. Pritet që ekonomia të rimëkëmbet shpejt, sapo të hiqen masat kufizuese dhe të mposhtet virusi. Sidoqoftë, pasiguria në lidhje me natyrën e virusit dhe pritja e gjatë për një vaksinë ose terapi, i kanë ulur shanset për një rimëkëmbje “në formë V-je”.

Kjo do të thotë se axhendat ekonomike të kandidatëve janë edhe më të rëndësishme gjatë zgjedhjeve të vitit 2020. Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden e ka sulmuar presidentin Donald Trump për mënyrën si e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit dhe ka publikuar një plan prej shtatë pikash, i cili përfshin mbajtjen e detyrueshme të maskave në mbarë vendin, duke investuar 25 miliardë dollarë në një plan për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave dhe duke rregulluar marrëdhëniet e vendit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Biden gjithashtu ka bërë thirrje që paketa e ardhshme stimuluese dhe lehtësuese e qeverisë, të jetë më e madhe se 2 trilionë dollarë dhe ka thënë se ajo duhet të përfshijë më tepër ndihmë për shtetet dhe të ketë një shkallë më të lartë mbikëqyrjeje.

Trump ka nënshkruar katër projektligje, me synimin për të ofruar lehtësim për ekonominë amerikane. Projektligji i parë, Akti i Përvetësimeve Shtesë për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Koronavirusit, u nënshkrua më 6 mars 2020 dhe caktoi 8.3 miliardë dollarë për të financuar përpjekje të ndryshme.

Akti i Përgjigjes së Parë ndaj Koronavirusit për Familjet, u nënshkrua më 18 mars. Më 27 mars 2020, Trump nënshkroi Aktin CARES prej 2 trilionë dollarësh (Ndihma, Mbështetja dhe Siguria Ekonomike ndaj Koronavirusit). Paketa e katërt, e quajtur Faza 3.5, u nënshkrua më 24 prill, për të rimbursuar programet e krijuara në Aktin CARES, me 484 miliardë dollarë.

Por, zgjedhjet amerikane sigurisht që nuk janë vetëm çështje e Amerikës. SHBA është ekonomia më e madhe në botë dhe fuqia me ndikimin politik dhe gjeostrategjik në glob. Ndaj, rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të ketë ndikime të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në ekonominë botërore.

Biden kryeson sondazhet, por Trump synon përmbysjen e 2016

Sondazhet deri më datë 23 tetor dëshmojnë një kryesim pak a shumë të dukshëm të kandidatit demokrat, Joe Biden. Kryesimi është i shtrirë si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivelin e të ashtuquajturave “shtete të lëkundura” (swing states). Deri tani, sondazhet kombëtare nxjerrin përpara kandidatin Biden, me rreth 9 pikë përqindje avantazh.

Për shkak të sistemit zgjedhor amerikan, ku fituesi zgjidhet nga votat e Kolegjit Elektoral, shpesh sondazhet në nivel kombëtar nuk kanë shumë domethënie. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2016, Trump u zgjodh president, megjithëse mori gjithsej rreth 3 milionë vota më pak se rivalja Hillary Clinton. Më e rëndësishme do të jetë mënyra sesi do të votojnë grupi i shteteve të lëkundura, që në zgjedhjet e fundit kanë përcaktuar fatin e zgjedhjeve presidenciale. Bëhet fjalë për rreth 15 shtete që besohet se do të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve.

Në shumicën e tyre, kandidati Biden është në avantazh, duke përfshirë pjesën më të madhe të shteteve ku Trump fitoi në zgjedhjet e vitit 2016. Por, në disa prej tyre, diferencat në sondazhe mes kandidatëve janë të vogla dhe brenda marzhit të gabimit. Mes shteteve me peshë në votat e kolegjit elektoral, deri tani Trump është para vetëm në Teksas dhe Ohajo, por edhe aty me një avantazh shumë më të ulët nga rezultati faktik i zgjedhjeve të 2016.

Megjithatë, edhe në nivel të shteteve të lëkundura, Donald Trump ishte në disavantazh katër vjet më parë, por në fund votat e Kolegjit Elektoral e nxorën fitues. Nëse humbet zgjedhjet këtë vit, Trump do të jetë presidenti i parë që nga George Bush Sr., që nuk arrin të sigurojë një mandat të dytë.

Infrastruktura

Trump – Presidenti që bëri fushatë me premtimin se do të rindërtonte Amerikën, kërkon prej kohësh një projektligj për infrastrukturën. Duket se për një projektligj të tillë ka një mbështetje dypartiake. Kohët e fundit, ai tha se dëshironte një plan 2 trilionë dollarë “shumë të madh dhe të guximshëm”, si pjesë e paketës së ardhshme të Kongresit për ndihmën ndaj koronavirusit.

Nuk ka gjasa që ta arrijë këtë së shpejti, duke marrë parasysh faktin se senatorët republikanë nuk duan të miratojnë ndihma që nuk kanë lidhje me pandeminë. Kur u pyet se si mund të financonte SHBA një paketë tjetër masive, Trump citoi normat e ulëta të huamarrjes. Por nuk ka dhënë detaje për planin e tij.

Biden – Demokrati ka publikuar një plan 10-vjeçar, prej 1.3 trilionë dollarësh në infrastrukturë, si pjesë e fushatës së tij zgjedhore. Ai thotë se plani do ta orientojë SHBA-në drejt emetimeve zero të gazrave serë dhe do të krijojë vende pune për të zgjeruar shtresën e mesme.

Shpenzimet përfshijnë 400 miliardë dollarë në një program të ri federal për kërkimin dhe inovacionin e energjisë së pastër, 100 miliardë dollarë për modernizimin e shkollave, etj. Biden thotë se plani i tij do të paguhet duke “hequr shkurtimet e taksave të Trump për korporatat; duke ulur stimujt për parajsat tatimore, evazionin dhe varësinë nga prodhimet e jashtme; duke siguruar që korporatat të paguajnë pjesën që u takon; duke mbyllur boshllëqet e tjera në kodin e taksave që shpërblejnë pasurinë dhe jo punën; dhe duke u dhënë fund subvencioneve për lëndët djegëse fosile”.

Taksat

Trump – Në propozimin e buxhetit të shkurtit 2020, administrata Trump supozoi se do të zgjaten edhe më tej dispozitat individuale të tatimit mbi të ardhurat të përfshira në Ligjin e Shkurtimeve të Taksave që skadon në vitin 2025. Midis viteve 2025 dhe 2030, këto ulje taksash do t’i kushtojnë qeverisë federale 1.5 trilionë dollarë, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm. Buxheti gjithashtu propozon shfuqizimin e kredive të taksave të energjisë së rinovueshme, ofrimin e kredive të taksave për programin e Bursave të Lirisë së Arsimit dhe rritjen e buxhetit të Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave (IRS) me rreth 15 miliardë dollarë gjatë një dekade.

Biden – Biden dëshiron të rrisë nivelin e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit, nga 37% në 39.6% dhe nivelin e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 21% në 28%. Nëse zgjidhet president, ai do të vendosë taksa të Sigurimeve Shoqërore për fitimet mbi 400,000 dollarë, tatime mbi fitimet kapitale dhe dividentë me norma të zakonshme për personat me të ardhura vjetore më shumë se 1 milion dollarë dhe 15% taksë minimale mbi të ardhurat zyrtare të kompanive të mëdha.

Shkalla e taksave mbi fitimet e firmave amerikane nga filialet e huaja do të dyfishohet në 21%. Sipas Qendrës së Politikave të Taksave, propozimet e taksave të Biden do të rrisin të ardhurat me 4 trilionë dollarë midis periudhës 2021 – 2030. Është vlerësuar se 93% e rritjes së taksave do të përballohet nga 20% e taksapaguesve me fitime më të larta. 1% më i pasur i popullsisë do të paguajë tre të katërtat e rritjes së taksave.

Tregtia

Trump – Lufta tregtare me Kinën ka qenë pjesa kryesore e politikës tregtare të Trump gjatë mandatit të tij të parë. Ai premtoi të vendoste “Amerikën të parën” në të gjitha marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe të penalizonte ata me të cilët SHBA ka një deficit të lartë tregtar ose që ai beson se po i taksojnë padrejtësisht kompanitë amerikane.

Nuk ka asnjë shenjë që tregon se Trump planifikon ta ndryshojë strategjinë e tij, por ekspertët thonë se ai duhet të jetë i kujdesshëm për të mos e zemëruar Pekinin në një kohë kur sistemi i mbingarkuar i kujdesit shëndetësor amerikan varet nga Kina për furnizime mjekësore. Kina përbën 48% të të gjitha importeve të pajisjeve mjekësore mbrojtëse personale në SHBA. Në bazë vjetore, deficiti ra për herë të parë në gjashtë vjet në vitin 2019, duke arritur në 616.8 miliardë dollarë.

Biden – Siç e përshkroi në artikullin e tij për “Foreign Affairs”, me titull “Pse Amerika duhet të udhëheqë përsëri”, Biden planifikon të përmirësojë pozitën e Amerikës në ekonominë globale duke investuar së pari në vend, në inovacion dhe klasat e mesme. Ai premton ta bëjë këtë përpara se të hyjë në ndonjë marrëveshje të re tregtare. Biden gjithashtu thotë se mënyra më e mirë për t’u përballur me Kinën në pronësinë intelektuale dhe transferimin e teknologjisë është duke formuar një koalicion me aleatët dhe partnerët e Amerikës, jo nëpërmjet tarifave unilaterale.

Vendet e punës dhe pagat

Trump – Ekonomia amerikane krijoi 6.6 milionë vende pune gjatë tre viteve të para, pasi Trump mori detyrën. Kjo është gjë e mirë, por jo shumë mbresëlënëse nëse shikojmë të dhënat e Departamentit të Punës dhe marrim parasysh gjendjen e ekonomisë kur ai mori përsipër detyrën.

Me miliona vende pune janë humbur për shkak të krizës COVID-19 dhe mund të duhet kohë për t’i rimëkëmbur. Ideja e Trump për të nxitur krijimin e vendeve të punës është nëpërmjet një projektligji në infrastrukturë prej 2 trilionë dollarësh. Ai ka hedhur idenë që qeveria të blejë bileta avioni me vlerë katër ose pesëvjeçare për të ndihmuar industrinë. Trump gjithashtu ka ndaluar lëshimin e kartave të reja të gjelbra për 60 ditë (maj dhe qershor 2020) për të mbrojtur punëtorët amerikanë gjatë kësaj kohe dhe i ka kërkuar administratës të rishikojë programet e punëtorëve “mysafirë”.

Biden – Ai dëshiron të krijojë me “miliona vende për shtrësën e mesme” përmes planit të tij të infrastrukturës. Kjo përfshin ndërtimin e infrastrukturës së energjisë së rinovueshme, institucioneve të ankorimit dhe industrive rezistente ndaj klimës. Këtu përfshihet edhe rritja e fondeve për programe si Kredia e Taksave në Tregjet e Reja, Institucionet Financiare të Zhvillimit të Komunitetit (CDFI) dhe Administrata e Zhvillimit Ekonomik, një agjenci brenda Departamentit të Tregtisë të SHBA-së.

Biden dëshiron të rrisë pagën minimale federale në 15 dollarë dhe beson se udhëheqësit e punës duhet të përfshihen në negociatat e marrëveshjes së re tregtare. Për shkak të krizës shëndetësore, ai ka propozuar që të 50 shtetet të miratojnë programe kompensimi për një kohë të shkurtër që financohen plotësisht dhe përgjithmonë nga qeveria federale. Ai gjithashtu dëshiron të reformojë programet e përkohshme të vizave për të siguruar që qeveria nuk po shkurajon rekrutimin e punëtorëve nga US Plus, ai planifikon të rrisë kartat jeshile të bazuara në punësim nga 140,000 çdo vit.

Kujdesi shëndetësor

Trump – Në propozimin e buxhetit 2021, administrata Trump ka propozuar shkurtime të thella në kujdesin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, veçanërisht për Medicaid (900 miliardë dollarë) dhe Medicare (450 miliardë dollarë). Ai kërkon 94.5 miliardë dollarë për Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, një rënie prej 10% nga niveli i miratuar në vitin 2020.

Biden – Ai nuk e humb asnjëherë mundësinë për t’u kujtuar amerikanëve faktin se ka punuar personalisht me Obama-n për nënshkrimin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor dhe është zotuar ta mbrojë dhe ta zgjerojë atë. Biden thotë se do të eliminojë kufirin e të ardhurave prej 400% për pranueshmërinë e kredisë tatimore dhe do të ulë kufirin e kostos së sigurimit shëndetësor në 8.5% të të ardhurave. Në vend të Medicare për të Gjithë siç sugjerohet nga rivalët e tij më progresivë, Biden dëshiron të krijojë një opsion të sigurimit shëndetësor publik të ngjashëm me të. Ai gjithashtu dëshiron të ulë moshën e pranimit për Medicare nga 65 në 60 vjeç.

Fushata e Biden ka thënë se plani i tij do të sigurojë kujdes shëndetësor për më shumë se 97% të amerikanëve dhe do të kushtojë 750 miliardë dollarë gjatë një dekade. Ai do të paguhet nëpërmjet të ardhurave nga reforma e fitimeve kapitale.

Koronavirusi

Shfaqja e koronavirusit të njohur si COVID-19 në fillim të vitit 2020, ka çuar në ndryshime të mëdha sociale dhe ekonomike në të gjithë botën, ndërsa qeveritë po përpiqen të kontrollojnë pandeminë. Ajo gjithashtu duket se ka transformuar rrënjësisht garën presidenciale të vitit 2020.

Trump – Trump ka minimizuar vazhdimisht kërcënimin e koronavirusit COVID-19 dhe ka shfaqur rezistencë ndaj një përpjekjeje të fortë federale për ta përmbajtur atë. Në fillim, Trump tha se përhapja e virusit ishte nën kontroll në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se ishte paralajmëruar për afrimin e një pandemie nga agjencitë e inteligjencës dhe zyrtarët e shëndetësisë, që në janar 2020. Nga marsi, Trump ka mbikëqyrur një përgjigje kombëtare të mangët, ku disa masa thelbësore u janë deleguar guvernatorëve të shteteve.

Biden – Biden ka paraqitur një plan kombëtar për të adresuar pandeminë e koronavirusit COVID-19. Ai është zotuar të forcojë udhëheqjen presidenciale dhe të shpenzojë “gjithçka që duhet” për të rritur testimin, gjurmimin e kontakteve, trajtimin dhe shërbime të tjera shëndetësore, për të mbështetur ekonominë dhe për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme. Biden e ka kritikuar përgjigjen e Trump si një “teatër politik” dhe ka premtuar t’i rikthejë Shtetet e Bashkuara në pozicionin e udhëheqësve globalë mbi krizën.

Emigracioni

Emigracioni ka qenë një pikë e ndezur e debatit politik amerikan për dekada me radhë. Përpjekjet për reformën gjithëpërfshirëse të emigracionit janë diskutuar vazhdimisht në Kongres për shkak të mosmarrëveshjeve për krijimin e një rruge drejt shtetësisë për rreth 11 milionë banorë pa dokumente të rregullta në Shtetet e Bashkuara, shumë prej të cilëve janë nga Meksika dhe Amerika Qendrore.

Trump – Emigracioni është një çështje kyçe për Trump dhe një pikë kryesore përplasjeje midis administratës së tij dhe sfiduesve demokratë. Duke bërë fushatë në një platformë për uljen e mprehtë të emigracionit të ligjshëm dhe të paligjshëm, ai ka ndërmarrë veprime ekzekutive për të riformuar politikën e azilit, deportimit dhe vizave.

Trump e ka inkuadruar situatën në kufirin jugor si një emergjencë kombëtare, duke i sulmuar ashpër refugjatët dhe azilkërkuesit dhe duke mos pranuar negociata për emigracionin. Disa nga premtimet e tij për të marrë masa të jashtëzakonshme, përfshirë ndërtimin e murit kufitar me Meksikën dhe deportimin e miliona refugjatëve, nuk janë materializuar ende. Por ai ka ushtruar presion për të ndaluar hyrjen e lirë në Shtetet e Bashkuara dhe pranimet e refugjatëve.

Biden – Biden ka dënuar qasjen e Trump ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve, duke e quajtur atë “të gabuar moralisht” dhe “raciste”. Ai mbështet reformën gjithëpërfshirëse të emigracionit dhe në të kaluarën ka mbështetur politika më kufizuese. Ai thekson nevojën për të adresuar shkaqet kryesore të emigracionit në vendet e origjinës.

Ndryshimet klimatike

Trump – Ai nuk beson në ndryshimin e klimës dhe është një mbështetës i fortë i industrisë së karburanteve fosile. Si president, Trump ka shpërbërë rregullat mjedisore, ka në plan të japë me qira miliona hektarë tokë publike për gërmime dhe ka filluar procesin e gjatë për të dalë nga marrëveshja e klimës në Paris.

Biden – Ndryshimi i klimës përmendet në shumë nga planet e tij, veçanërisht në infrastrukturë dhe tregti, por kritikët thonë se plani nuk është aq ambicioz sa duhet. Synimi i Biden është të arrijë një ekonomi 100% të bazuar në energji të pastër dhe të arrijë emetime neto zero deri në vitin 2050. Biden dëshiron të ribashkohet me Marrëveshjen e Parisit dhe kërkon një ndalim në të gjithë botën për subvencionet e karburanteve fosile. Ai gjithashtu dëshiron të instalojë 500,000 stacione të karikimit të automjeteve elektrike në të gjithë vendin deri në vitin 2030.

Biden planifikon të ndreqë politikën e jashtme “America First” 

Nëse Donald Trump humbet zgjedhjet e muajit nëntor, shumë aleatë të SHBA-së shpresojnë se nuk do të përballen më me politikën “Amerika e Para”. Joe Biden, rivali i tij demokrat, po planifikon të ndreqë katër vjet të politikës së jashtme izoluese të SHBA-së, me një slogan të ri, “të rivendosim udhëheqjen amerikane”, në një përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara diplomatike.

Zoti Biden e ka bërë të qartë se administrata e tij do të ndryshojë vendimet e nënshkruara nga zoti Trump për politikën e jashtme, duke rihyrë menjëherë në Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe duke ndaluar daljen e vendit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ish-zëvendëspresidenti ka sinjalizuar gjithashtu se do të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore të Iranit nëse Teherani pajtohet me kushtet, do të rrisë mbështetjen diplomatike për NATO-n, do të mbajë qëndrim të ashpër ndaj Arabisë Saudite dhe do të udhëheqë një sërë nismash ndërkombëtare, përfshirë përgjigjen globale ndaj pandemisë.

“Amerika e Para e ka bërë Amerikën të vetmuar”, tha zoti Biden në një takim me votuesit javën e kaluar, duke shtuar se zoti Trump ka përqafuar “armiq” si udhëheqësin e Koresë së Veriut, ndërkohë që ka ulur mbështetjen për NATO-n deri në pikën ku bashkimi është “në rrezik përçarjeje”.

Politika e jashtme renditet ndër çështjet më pak të rëndësishme për votuesit në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve, sipas të dhënave nga Qendra e Kërkimit Pew. Por, nëse zoti Biden fiton kundër zotit Trump, kjo mund të jetë fusha ku do të ndihet ndikimi i menjëhershëm.

Shumë shtete europiane shpresojnë se toni i politikës së jashtme të Biden do të ndihmojë në zbutjen e frikës se rendi ndërkombëtar liberal dhe multilateralizmi i tij i bazuar në rregulla, rrezikon të shembet. “Europianët kanë nevojë për një Amerikë të fuqishme”, tha një diplomat perëndimor me qendër në Uashington, megjithëse paralajmëroi se ishte “naive” të mendosh se gjithçka do të kthehet siç ishte para se të zgjidhej zoti Trump.

Ndryshe nga Trump, një sipërmarrës i pasurive të patundshme dhe ish-showman, zoti Biden ka një përvojë prej disa dekadash në politikën e jashtme, sidomos gjatë kohës si zëvendëspresident dhe kryetar i komitetit të marrëdhënieve të jashtme në Senat.

Zoti Biden e ka shumë për zemër Europën, thotë Tom Wright nga Instituti Brookings, duke shtuar se kandidati demokrat do të ishte “presidenti më pro-atlantik që nga George H. W. Bush”. Zoti Biden është më i përkushtuar ndaj Europës se ish-shefi i tij Barak Obama, pohon zoti Wright.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se kritikat ndaj politikës së jashtme të Trump nuk arrijnë të njohin përpjekjet e tij për të zhvilluar strukturat e aleancës jashtë Europës, si me “dialogun katërkëndësh” midis Australisë, Indisë, Japonisë dhe SHBA-së, që synon të kundërshtojë ndikimin e Kinës.

Ken Farnaso, zëvendëssekretari i shtypit për fushatën Trump, tha se një mandat Biden-Harris “do të na kthente në ditët e nënshtrimit dhe globalizmit që ishin katastrofike për politikën e jashtme amerikane”. Por edhe nëse administrata Biden ndjek një ton shumë të ndryshëm nga zoti Trump, disa aleatë të SHBA-së nuk janë të bindur se kjo do të çojë në ndryshime aq të mëdha.

“Ka mjaft çështje ku Biden nuk do të jetë aq ndryshe nga Trump”, tha një diplomat europian, duke theksuar se kandidati demokrat nuk planifikon të kthejë mbrapsht një nga vendimet më polemike të presidentit: zhvendosjen e ambasadës në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem.

Diplomati parashikon se administrata e Biden mund të mos përputhet ngushtë me Europën në marrëdhëniet me Rusinë ose Iranin. Rebecca Lissner, një profesoreshë në Kolegjin e Luftës Detare në SHBA, thotë se ndikimi më jetëgjatë i epokës Trump do të jetë një “diplomaci informale” më tepër sesa traktatet zyrtare.

Zonja Lissner tha se vendimi i Trump për t’u tërhequr nga kaq shumë marrëveshje ndërkombëtare, ka demonstruar se presidentët amerikanë nuk mund të detyrojnë administratat e ardhshme t’u përmbahen marrëveshjeve të mëparshme, sidomos duke pasur parasysh polarizimin në politikën e brendshme amerikane.

Ajo shton: “Epoka e traktateve të mëdha ka marrë fund. Ka të ngjarë që aleatët tanë nuk do të kenë më besim se SHBA-ja mund të qëndrojë besnike ndaj angazhimeve të veta. Edhe nëse SHBA-ja dëshiron të vendosë sërish mantelin e saj tradicional të udhëheqjes, ne do të mbetemi gjithmonë vendi që zgjodhi si president Donald Trump”.

Hapësira e Biden për të manovruar është gjithashtu e kufizuar nga ngritja e Kinës, tha zonja Lissner, duke shtuar se Amerika është në një “gjendje rënieje relative” dhe duhet të riimagjinojë rrënjësisht qasjen e saj ndaj politikës së jashtme dhe të heqë dorë nga pritshmëritë e epokës së Obamës.

Diplomacia dhe ndihma e jashtme

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet diplomatike globale për të ndërtuar aleanca dhe institucione për të promovuar paqen dhe prosperitetin.

Trump – Trump i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe angazhimet që ai mendon se janë një shpërdorim i burimeve të SHBA-së, ka hyrë në konflikt me aleatët për shumë çështje, nga politika e mbrojtjes në tregti dhe ka kritikuar institucionet globale që ai thotë se i detyrojnë Shtetet e Bashkuara të “dorëzojnë sovranitetin”. Propozimet e tij të buxhetit kanë kërkuar të ulin ndihmën e huaj dhe ta bëjnë atë më të kushtëzuar nga mbështetja për politikat e SHBA-së.

Biden – Biden thekson se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballen me sfidat e reja pa marrëdhënie të ngushta me aleatët e tyre dhe bashkëpunimin e institucioneve ndërkombëtare. Ai thotë se tërheqja e Trump nga traktatet dhe denigrimi i aleancave ka “dobësuar pozitën e Amerikës në botë”.

Kina

Marrëdhënia gjithnjë e më konfrontuese SHBA-Kinë ka ngjallur shqetësim ndërkombëtar dhe është bërë çështje qendrore në garën e vitit 2020, e rritur edhe më tepër nga pandemia e koronavirusit COVID-19, që nisi në Kinë.

Trump – Trump është përpjekur të mbajë përgjegjëse Kinën për ato që ai i quan një sërë abuzimesh ekonomike: vjedhje e pronës intelektuale, manipulim i monedhës, subvencione eksporti dhe spiunazh ekonomik. Ai thotë se është i nevojshëm një veprim agresiv për të mbrojtur punëtorët amerikanë dhe për të zvogëluar deficitin e madh dypalësh tregtar të Shteteve të Bashkuara dhe se kriza e koronavirusit dëshmon nevojën për ta mbajtur Kinën përgjegjëse.

Biden – Biden e ka portretizuar ngritjen e Kinës si një sfidë serioze. Ai ka kritikuar praktikat e saj “abuzive” të tregtisë – duke paralajmëruar se mund t’ia kalojë Shteteve të Bashkuara në teknologjitë e reja – dhe ka kritikuar gjithashtu abuzimin me të drejtat e njeriut. Biden thotë se do të ndjekë një qasje më efektive se Trump ndaj Kinës dhe do të punojë më ngushtë me aleatët për të ushtruar presion ndaj Pekinit.

Koreja e Veriut

Koreja e Veriut është kthyer në një nga sfidat më të forta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, pasi regjimi i Kim Jong-un ka sfiduar sanksionet ndërkombëtare, duke shtuar prodhimin e armëve bërthamore dhe teknologjisë së raketave në vitet e fundit. Ekziston frika se vendi po rrit aftësitë ushtarake që mund ta lejojnë të mbajë peng Azinë Lindore apo edhe të godasë Shtetet e Bashkuara.

Trump – Trump i ka kushtuar vëmendje të konsiderueshme Koresë së Veriut, duke filluar negociata të pashembullta të drejtpërdrejta me udhëheqësin e vendit, Kim Jong-un, në një përpjekje për ta bindur atë t’i japë fund programit bërthamor.

Biden – Biden mbështet diplomacinë me Phenianin, por thotë se bisedimet e Trump me Kim Jong-un kanë qenë të pasuksesshme dhe potencialisht kundërproduktive, dhe kanë shërbyer vetëm “për të legjitimuar një diktator”.

Rusia

Mes përpjekjeve perëndimore për të lidhur një marrëdhënie bashkëpunuese me Rusinë pas Luftës së Ftohtë, vendi është kthyer sërish në një rival kryesor të SHBA-së dhe një objekt mosbesimi dhe dyshimi. Për kritikët e saj në Uashington, përfshirë shumë kandidatë demokratë për vitin 2020, politika e jashtme e Moskës është bërë mjaft agresive në vitet e fundit, duke filluar nga ndërhyrja ushtarake në Ukrainë dhe Siri, nga ndërhyrjet në zgjedhjet perëndimore, e deri te shkelja e traktateve bërthamore.

Trump – Trump ka kultivuar marrëdhënie të përzemërta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka hedhur poshtë akuzat se fushata e tij bashkëpunoi me Moskën për ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë, ndërkohë që gjithashtu është përulur ndaj presionit të Kongresit për të zgjatur sanksionet ndaj Moskës, duke zgjeruar ndihmën ushtarake në Ukrainë dhe duke u tërhequr nga një traktat i madh SHBA-Rusi për kontrollin e armëve.

Biden – Biden paralajmëron se Rusia nën presidentin Vladimir Putin, po “sulmon themelet e demokracisë perëndimore”, duke kërkuar të dobësojë NATO-n, të ndajë Bashkimin Europian dhe të zhvlerësojë sistemin zgjedhor të SHBA-së. Ai gjithashtu paralajmëron se Rusia kërkon të përdorë institucionet financiare perëndimore për të pastruar miliarda dollarë, para që ai thotë se më pas përdoren për të ndikuar tek politikanët.

Diplomatët shqiptarë bëjnë tifozllëk për Biden

Presidenti Donald Trump erdhi në pushtet mbështetur mbi doktrinën “Amerika e para”, që u përkthye në praktika të luftës tregtare, masa më të ashpra kundër emigracionit dhe angazhim më të vogël të SHBA ndaj vendeve partnere. Ndaj, nuk është çudi që përkrahja e tij jashtë SHBA, sidomos mes vendeve partnere, është e pakët.

Diplomatët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, të intervistuar nga revista “Monitor”, bien dakord se kandidati Joe Biden do të ishte alternativa e preferuar për një rivendosje të partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Europës dhe për një kthim të vëmendjes amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kosova janë aleatët kryesorë.

Diplomati Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA, thotë për revistën Monitor se një fitore e kandidatit Joe Biden do të sillte një vëmendje më të madhe të SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe për faktorin shqiptar. Sipas tij, kandidati Biden është një njohës i mirë i Ballkanit dhe ka një historik pozitiv të marrëdhënieve me shqiptarët. “Nëse Donald Trump rizgjidhet president, politika e jashtme e administratës së tij të re do të mbetet ajo e vjetra; pak gjasa ka që ajo të ndryshojë. Nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë zgjidhet z. Joe Biden, të gjitha gjasat janë që politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të rikthehet në parimet e “Doktrinës Obama””.

Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA dhe në OKB, shprehet se politika e ndjekur nga administratat Trump ndaj Ballkanit Perëndimor ishte konjukturale dhe në funksion të përfitimeve politike. Sipas tij, një fitore e kandidatit demokrat do të sillte forcim të marrëdhënieve me vendet aleate të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Ai mendon se nëse në pushtet do të vijë Biden “do të ketë bashkëpunim dhe jo ndarje me Europën për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit në BE.

SHBA do të respektojnë qëllimin që Shqipëria, Kosova dhe vendet e rajonit të bëjnë pjesë në Europën e Bashkuar dhe mendoj se do të punojnë për procesin e integrimit të shpejtë të Shqipërisë dhe për të mundësuar që qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë në hapësirën “Schengen”. Politikat e administratës Biden për Rajonin nuk do të jenë politika koniunkturore, për përfitime politike, por normalitet dhe vazhdimësi të konsensusit të Uashingtonit për arritjet e SHBA në rajon”.

Ilir Kalemaj, pedagog i shkencave politike ndan gjithashtu mendimin se një fitore e Biden do të përmirësonte bashkëpunimin e SHBA me aleatët europianë dhe do të sillte një vëmendje më të madhe amerikane për Ballkanin Perëndimor dhe për çështjet në interes të shqiptarëve. “Mendoj se Biden do të jetë më bashkëpunues me Europë, edhe për çështjet që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën. Në këtë prizëm, mendoj se Biden mund të jetë një kandidaturë më pozitive për shqiptarët”.

Përgatiti: Ersuin Shehu
Përktheu: Lira Muça