Ballina Bota Fituesi i zgjedhjeve Trump apo Biden? Dalin të dhënat e fundit nga...

Fituesi i zgjedhjeve Trump apo Biden? Dalin të dhënat e fundit nga sondazhet

Ndërsa kanë mbetur pak ditë nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë Joe Biden duket se ka një epërsi të ngushtë përballë Presidentit Trump, tregojnë anketat në shkallë kombëtare. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim zhvillimeve më të fundit nga fushatat e të dy kandidatëve, ndërsa miliona amerikanë kanë votuar tashmë.

Sipas të dhënave të së premtes, më shumë se 82 milionë amerikanë kanë votuar deri tani me postë, fizikisht në qendra votimi apo mënyra të tjera. Mindora Maddox është një prej tyre.

“Njerëzit më thoshin shko dhe voto më herët. Kështu mu mbush mendja dhe votova”, thotë ajo.

Kandidati demokrat Joe Biden është përpjekur t’i përkufizojë zgjedhjet si referendum ndaj mënyrës se si Presidenti Trump iu përgjigj pandemisë.

“Nuk po kandidoj me premtimin e rremë se do të jem në gjendje t’i jap fund pandemisë thjesht duke shtypur butonin. Por ajo që mund t’ju premtoj është kjo: Që ditën e parë do të fillojmë të bëjmë gjërat e duhura.”

Presidenti Trump po bën fushatë me premtimet për mirëqënie, duke theksuar të dhënat e fundit ekonomike.

“I patë shifrat, 33.1 për qind rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Më e madhja në historinë e vendit, afro tre fish, duke e sjellë PBB në 3.5 për qind, në nivelet para pandemisë”.

Ndërsa protestat kundër dhunës policore vazhdojnë të trondisin vendin, demokrati Biden fajëson presidentin për nxitje të ndasive racore.

Nga ana tjetër, Presidenti Trump thotë se vetëm ai mund ta vendosë rendin dhe ligjin, duke akuzuar kundërshtarin e tij Joe Biden se po mbështet anarkistët dhe se ka një axhendë socialiste, për të cilën thotë se do të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara. Whit Ayres është analist republikan me firmën hulumtuese “North Star Opinion Research”.

“Argumenti përmbyllës i zotit Biden është pikërisht i njëjti argument që ka dhënë që në fillim se është koha për të bashkuar vendin dhe për një fillim të ri. Argumenti përmbyllës i fushatës së zotit Trump duket se është se Joe Bideni dhe demokratët do të shkatërrojnë jetën e amerikanëve. Mesazh që vështirë të ngjisë tek njerëzit”.

Sipas anketave kombëtare të premten, ish-Nënpresidenti Biden mban ka një epërsi prej 7 për qind ndaj zotit Trump. Por zgjedhjet amerikane nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga vota elektorale e secilit shtet. Ky është një sistem sipas të cilit fituesi i merr të gjitha në të 50 shtetet, përveç shteteve Mein (Maine) dhe Nebraska. Një kandidati i duhen minimalisht 270 vota elektorale nga 538 gjithësej për të fituar zgjedhjet.

Zoti Trump shpreson të përsërisë fitoren e vitit 2016, duke siguruar votat e kolegjit elektroral në shtetet kritike për rezultatin, ku sondazhet tregojnë një epërsi të vogël të zotit Biden. Robert Griffin është me grupin hulumtues “Democracy Fund Voter Study Group”.

“Trump nuk po humbet aq keq në disa prej shteteve të lëkundura se sa në shkallë kombëtare. Por pyetja qendron nëse prirja kombëtare do të jetë më e thellë se sa tek shtetet e lëkundura vendimtare, që të ketë vërtet një ndryshim”.

Por cilat shtete duhet të fitojë zoti Trump për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë ? Analistja republikane Manda Iovino me “WPA Intelligence” ofron opinion e saj.

“Pensilvania dhe Florida janë shtete të rëndësishme. Nëse presidenti nuk paraqitet mirë atje, ose humbet Floridën, atëherë vështirë të shohësh një prirje të qartë fitoreje për të”.

Zoti Trump do të zhvillojë katër tubime në Pensilvani gjatë fundjavës ndërsa rivali i tij Biden do të zhvillojnë tubime në këtë shtet të hënën.