Nga Mariusz Błaszczak
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, e gjallëruan natyrshëm debatin mbi të ardhmen e lidhjeve transatlantike dhe rolin e NATO-s dhe SHBA-së në garantimin e sigurisë Evropiane. Për mendimin tim, parimet themelore, vlerat dhe marrëveshjet mbi të cilat mbështetet bashkëpunimi mbrojtës në Perëndim, mbeten të pandryshuara:Nuk ka asnjë alternativë tjetër ndaj një aleance midis Evropës dhe SHBA-së.
Aleanca e Evropës me SHBA-në brenda NATO-s, dhe prania e trupave amerikane në kontinentin tonë, është guri kryesor i themelit i sigurisë sonë të përbashkët. Për vendet të veçanta evropiane, kjo kërkon një përmbushje të ndershme dhe të përgjegjshme të detyrimeve tona ndaj aleancës.
Polonia i ka përmbushur plotësisht këto detyrime që nga viti 2015. Përqafimi ynë i aleancëstransatlantike, vjen natyrshëm për shkak të lidhjeve tona të ngushta me SHBA ndër shumë breza, të kombinuara me përvojën tonë historike, dhe njohuritë tona të thella mbi kërcënimin që vjen nga politika agresive e Rusisë.
Një numër vendesh të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë përvoja të ngjashme,ndaj ato ndajnë plotësisht këndvështrimin tonë. Disa qarqe politike në Perëndim, mund të mos i kuptojnë përvojat tona, dhe për këtë arsye ato janë nxituar të arrijnë në përfundimin se aleanca me SHBA-në nuk është më e nevojshme.
Ne po bëjmë një rivlerësim të përgjegjshëm të kësaj çështje. Dhe duhet të jemi më pranë se kurrë Shteteve të Bashkuara. Politika e përbashkët e sigurisë e BE-së, duhet të jetë në përputhje më këtë qasje, dhe ta plotësojë e jo të përbëjë një alternativë ndaj aleancës tonë brenda NATO-s.
Polonia ka pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim mbi këtë çështje, dhe ai mbetet i pandryshuar. Ne jemi të kënaqur me shkëmbimin e fundit të qëndrimit midis aleatëve tanë kryesorë evropianë, veçanërisht gjermanëve. Unë jam plotësisht dakord me kolegen time gjermaneAnnegret Kramp-Karrenbauer, se Evropa nuk mundet që ta zëvendësojë rolin kryesor të SHBA-së si një ofruese e sigurisë, dhe se ne duhet të heqim dorë nga iluzionet e “autonomisë strategjike evropiane”.
Një element tjetër që e garanton sigurinë e Evropës, është politika amerikane e parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore. Pa këtë të fundit, ekuilibri në kontinentin tonë do të prishej, duke rritur kësisoj ndjeshëm rrezikun e një sulmi nga Rusia – një vend që e ka minuar hapur rendin e sigurisë globale dhe rajonale.
Moska po e forcon potencialin e saj sulmues ndaj Perëndimit. Duke zhvilluar raketat lundruese SSC-8/9M729, ajo shkeli traktatin INF, për eliminimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër. Njëkohësisht, ajo ka rezerva të konsiderueshme armësh bërthamore taktike, që nuk u nënshtrohen rregulloreve të traktatit.
Në këtë kontekst, “ombrella bërthamore” e SHBA-së, është mënyra e vetme e besueshme për ta ruajtur ekuilibrin në Evropë. Për vite me radhë, Polonia po përpiqet që të shtojë praninë ushtarake amerikane në vendin tonë dhe të gjithë rajonin. Gjithsesi, ne nuk duam që ta bëjmë këtë në kurriz të uljes së sigurisë së vendeve të tjera evropiane.
Kjo do të përbënte një mungesë besnikërie ndaj partnerëve tanë evropianë, dhe do të dobësonte aftësitë mbrojtëse në krahun lindor të NATO-s. Ne mendojmë se siguria është
një interes i përbashkët euro-atlantik. Është kjo arsyeja pse bashkëpunimi ynë ushtarak dypalësh, është plotësisht i dakordësuar dhe i pranuar brenda NATO-s, dhe është një pjesë integrale e politikës së përbashkët të mbrojtjes së aleancës.
Polonia është një lojtare kryesor në mbrojtjen e krahut të ndjeshëm lindor të NATO-s. Rëndësia që ne i kushtojmë përfshirjes politike dhe ushtarake të SHBA-së në Evropë,tregohet nga marrëveshja mbi bashkëpunimin e zgjeruar të mbrojtjes, të nënshkruar nga Polonia dhe SHBA-ja në gusht të këtij viti.
Ajo marrëveshje bëri të mundur që numri i ushtarëve amerikanë të vendosur në vendin tonë si pjesë e pranisë së qëndrueshme amerikane të rritet në 5.500. Trupat V të Ushtrisë Amerikane, kanë ngritur tashmë selinë e tyre në Poloni.
Dhe që nga 1 janari 2020, Polonia ka qenë kombi lider për përbërësin tokësor të Task Forcës së Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë të NATO-s (VJTF). Njëkohësisht, Komponenti i Forcave Speciale nga Krakov është shtylla kurrizore e Komandës së Komponentit të Operacioneve Speciale të NATO-s këtë vit.
Sikurse kërkohet nga NATO, ne ndajmë 2 për qind të PBB-së tonë për mbrojtjen, dhe planifikojmë t`a rrisim këtë shumë. Ne e kuptojmë që ndërsa presim siguri nga aleatët tanë, përfshirë SHBA-në, duhet t’i përmbushim me besnikëri zotimet tona. Njëherazi, për 15 vjet kemi qenë aktivisht të përfshirë në politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
Ne jemi të bindur se SHBA-ja do të vazhdojë të angazhohet në mbrojtjen e Evropës dhe rajonit tonë. Por si aleatë, ne nuk mund të presim që Uashingtoni të garantojë sigurinë tonë
pa njëangazhim real nga ana jonë e Atlantikut. Si evropianë ne duhet të vazhdojmë të punojmë brenda NATO-s dhe ta forcojmë aleancën tonë me Uashingtonin. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, dhe kemi të gjithë përgjegjësi të barabarta për të ardhmen tonë të përbashkët.
Shënim: Mariusz Błaszczak, është Ministër i Mbrojtjes i Polonisë. / “Politico.eu”