Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden ishte kandidat për të tretën herë për president, por kjo ishte hera e parë si i zgjedhur i demokratëve.
Në janar 2021, zoti Biden do të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë ai do të jetë 78 vjeç, presidenti më i moshuar amerikan, duke ia kaluar presidentit Trump që ishte 74 vjeç kur mori detyrën.
Gjatë gjithë muajve që ka bërë fushatë zoti Biden ka thënë se po përpiqet t’i japë fund administratës së presidentit Trump që ai e quan “një anomali”.
Detyrën më të rëndësishme të jetës së tij, Biden e merr në mes të një pandemie globale. Gjatë fushatës, presidenti i ardhshëm e ka bërë të qartë se do të shfrytëzojë përvojën e tij qeveritare, duke theksuar se ka tetë vjet përvojë në hartimin e politikës së Obamës për Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, që i jep njohuri të mjaftueshme për të përballuar një krize të kujdesit shëndetësor.
Ai humbi gruan e tij të parë dhe një vajzë nga një aksident automobilistik në 1972, dhe një djalë nga kanceri i trurit në 2015. Biden shpesh i përmend si një arsye pse vazhdon t’i shërbejë Amerikës, duke i cilësuar si forcën dhe inspirimin e tij më të madh.
Biden u zgjodh për herë të parë senator nga shteti i Delauerit, në vitin 1972. Ai garoi për herë të parë për president në vitin 1988, por u tërhoq pasi pranoi se kishte kopjuar një fjalimi nga lideri i atëhershëm i laburistëve britanikë, Neil Kinnock.
Që prej fillimit të karrierës së tij si këshilltar në New Castle të Delaware, vetë Amerika ashtu si edhe Biden, kanë kaluar stade të rëndësishme politike. Nga zhvillimet ekonomike, Biden do të mbahet mend si personi që ka mbrojtur historikisht tregtinë e lirë. Kulmi i karrierës së tij në këtë fushë do mund të konsiderohet viti 2009 ku në rolin e zëvendëspresidentit duhet të mbikëqyrte sistemin financiar në mënyrë që asnjë qindarkë e taksapaguesve amerikanë të mos shkonte dëm nga akti i ndihmës prej 800 miliardë dollarësh që u akordua nga administrata Obama.
Viti 1994 do të ishte një pikë e fortë për Biden në çështjet juridike dhe kriminalitetin, ku në cilësinë e kreut të komisionit juridik në Senat u bë nismëtar i reformës së re për institucionet penitenciare dhe programet për parandalimin e kriminalitetit në vend me një faturë prej afro 16 miliardë dollarësh që rezultoi e suksesshme. Krimi në vend pas këtij akti u ul me 33 për qind. Zoti Biden ka thënë gjithashtu se e konsideron ligjin kundër Dhunës ndaj Grave, që bëri më të lehtë ndjekjen penale të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale, “më të rëndësishmin”, që ai ka ndihmuar të miratohej në Kongres.
Për sa i takon marrëdhënieve me jashtë, Biden e sheh praninë e forcave amerikane në botë jo si një nismë për luftë, por e vetmja mënyrë për të garantuar paqen. Si nënpresident i presidentit Obama, zoti Biden ndihmoi në hartimin e politikës së jashtme për Irakun, përfshirë tërheqjen e trupave në vitin 2011. Ai gjithashtu mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Libi në vitin 2011.
E teksa Trump e vuri si qëllim më vete reduktimin e trupave në Siri, Irak dhe Afganistan, Biden e mbështet këtë lëvizje, por jo në shpërnguljen totale të forcave amerikane.
Presidenti i ri dëshiron që Amerika të jetë e pranishme gjithkund. Emigracioni nuk është i parapëlqyer as nga Biden. Gjatë kohës që ai shërbeu si zëvendëspresident në administratën “Obama”, ka përzënë më shumë se 3 milionë të huaj që jetonin në Amerikë në formë të paligjshme.
Cilat janë sfidat e presidentit të ri?
Presidenca e zotit Biden mund të reflektojë tetë vitet e mandateve të zotit Obama, me politika që avancojnë kauza progresiste për barazinë racore dhe të drejtat e grave në politikën e brendshme dhe në respekt të marrëveshjeve ndërkombëtare në politikën e jashtme. Presidenti Trump i ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshje tregëtare, bërthamore dhe për klimën pasi nuk i konsideron ato në interes të Uashingtonit. Zoti Biden me shumë gjasa do të përpiqet të rikthejë pozicionin udhëheqës dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në botë.
Që në fushatë, por edhe primaret demokrate, Biden kërkoi të krijonte te njerëzit imazhin e komandantit dhe shefit në këtë kohë pandemie, duke formuluar rekomandime të sugjeruara nga ekspertët e ekonomisë dhe shëndetit publik. Në to, përfshihej këshilla e bërjes e sa më shumë testeve për koronavirus dhe bërjen e tyre falas. Të njëjtën gjë kërkoi edhe për koston e vaksinës, të mos merret asnjë qindarkë nga xhepat e taksapaguesve.
Tani është momenti të shohim se si bëhen realitet premtimet e një fushate. Biden ka shërbyer si zëvendëspresident, në administratën Obama, gjatë kalimit në senat të paketës për shëndetësinë e aksesueshme lehtë dhe kujdesi shëndetësor mbetet një ndër prioritetet kryesore jo pa shkak.
Çdo gjë, ka si burim tragjeditë familjare që ka kaluar…
Pasi u diplomua nga Universiteti i Delauerës dhe Fakulteti Juridik i Universitetit Syracuse, zoti Biden u bë në vitin 1972, në moshën 29 vjeçare, një nga ligjvënësit më të rinj të zgjedhur në senatin amerikan. Por disa javë pas zgjedhjeve jeta e tij u godit nga një tragjedi.
Gruaja e tij Neilia, dhe vajza e tij e vogël, Naomi, humbën jetën në një aksident rrugor, një javë para Krishtlindjeve. Djemtë e tij, Beau and Hunter, u plagosën rëndë por mbijetuan dhe zoti Biden e bëri betimin si senator pranë shtratit të spitalit të të birit Beau në vitin 1973.
Ai filloi të udhëtonte përditë me tren nga Uashingtoni në Delaware 90 minuta vajtje dhe po aq ardhje, një rutinë që e ndoqi për 36 vjet – gjashtë mandate – në senat.
Disa vjet pas vdekjes së gruas së tij të parë, zoti Biden u martua me Jill Jacobs Tracy-n dhe pati një vajzë me të në vitin 1981.
Mbi 40 vjet më pas, zoti Biden u godit përsëri nga tragjedia, kur i biri Beau vdiq nga kanceri në tru në moshën 46 vjeçare.
Kujdesi shëndetësor, do të pohonte ai më vonë në një dalje televizive, është një çështje “personale” për të. Përveç planit të njohur tanimë, “Obamacare”, ai këmbëngul edhe në planin e kujdesit shëndetësor për të gjithë që prek moshat madhore. Një tjetër çështje për Joe Biden, president, është edhe besimi në vlerat bipartizane dhe meqë ka qenë anëtar i senatit për vite me radhë beson fort në shtrirjen e dorës bashkëpunuese në anën tjetër, ndonëse kjo nuk gjen mbështetje brenda partisë së tij.
Si një ish-pjesëtar i komitetit të çështjeve të jashtme në senat, ai ende flet me pasion të madh mbi forcimin e rolit kryesues të Amerikës në stadin botëror. (SI)