Ballina Bota Biden fitoi, por Trump nuk shkulet nga karrigia, çfarë është një tranzicion...

Biden fitoi, por Trump nuk shkulet nga karrigia, çfarë është një tranzicion presidencial?

Administrata e Presidentit Trump ende nuk ka filluar procesin për të ndihmuar ekipin e tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), një agjenci qeveritare në Uashington, po vonon miratimin e fondeve të plota dhe burimeve të procesit të tranzicionit derisa “të konstatohet” një fitues. Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe pretendon për mashtrime në numërimin e votave.

Ekspertët e qeverisë paralajmërojnë se është jetike që tranzicioni të fillojë për të garantuar një transferim të rregullt të pushtetit, shkruan Zëri i Amerikës.

Çfarë është një tranzicion presidencial?

Koha midis fitores së zgjedhjeve nga një kandidat presidencial e deri tek ceremonia e inaugurimit të tij njihet si periudhë “tranzicioni”. Tranzicioni drejtohet nga një ekipi jofitimprurës i tranzicionit i presidentit të zgjedhur, i cili është i ndarë nga fushata dhe ka stafin dhe buxhetin e vet.

Çfarë ndodh gjatë tranzicionit?

Tranzicioni shënon fillimin e detyrës komplekse të një presidenti të zgjedhur për të marr kontrollin e administratës së qeverisë federale. Gjatë kësaj periudhe, një president i zgjedhur shpesh përqendrohet në zgjedhjen e stafit të tij të Shtëpisë së Bardhë, të udhëhequr nga një shef i stafit, si dhe postet kryesore të kabinetit.

Një president emëron rreth 4,000 njerëz në poste në të gjithë qeverinë, me më shumë se një të katërtën e tyre që kërkojnë konfirmim nga Senati. Këta administratorë ndihmojnë në mbikëqyrjen e 2.1 milionë punonjësve civilë dhe 1.4 milionë të personelit ushtarak në detyrë aktive, pjesë e një burokracie federale me një buxhet vjetor prej më shumë se 4.5 trilionë dollarë.

Përveç plotësimit të posteve, zyrtarët e tranzicionit eksplorojnë mënyrat se si një president i ri mund t’i kthejë premtimet e fushatës në politika federale. Ata shpesh shikojnë të gjejnë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren shpejt, siç janë kthimi mbrapsht i veprimeve ekzekutive të ndërmarra nga presidenti i mëparshëm. Ata studiojnë çdo agjenci federale për të kuptuar politikat dhe nevojat e personelit.

Kur fillon tranzicioni?

Planifikimi për tranzicionin mund të fillojë jozyrtarisht në çdo kohë, megjithatë ai fillon zyrtarisht kur bëhet i ditur rezultati i zgjedhjeve. Akti Presidencial i Tranzicionit i vitit 1963 lejon agjencinë GSA t’i sigurojë ekipit të presidentit të zgjedhur zyra dhe pajisje. Qeveria gjithashtu bën kontrolle të biografisë për qëllime të sigurisë.

Një ligj i përditësuar, i miratuar në vitin 2010 i lejon kandidatët e partive të mëdha të fillojnë të marrin ndihma qeveritare për tranzicionin më herët në proces, duke i lejuar ata të përdorin hapësirat e zyrave qeveritare, kompjutra dhe shërbime të tjera menjëherë pas kuvendeve të emërimit të partive, të cilat këtë vit u zhvilluan në gusht.

Ligji federal gjithashtu u jep nëpunësve civilë të karrierës fuqi të konsiderueshme për transferimin e të dhënave dhe njohurive tek zyrtarët e administratës së re, një veprim që synon të zvogëlojë rrezikun e politizimit.

A ndryshon kohëzgjatja e tranzicionit?

Tranzicioni zakonisht zgjat rreth 11 javë, nga dita e zgjedhjeve në fillim të nëntorit në ditën e inaugurimit, e cila është mandatuar me kushtetutë të mbahet më 20 Janar. Sidoqoftë, tranzicioni mund të shkurtohet nëse rezultati i zgjedhjeve nuk mësohet shpejt.

Në vitin 2000, një luftë e zgjatur ligjore mes demokratit Al Gore dhe republikanit George W. Bush, i cili përfundimisht do të fitonte presidencën, çoi në një tranzicion që ishte vetëm sa gjysma e kohës së parashikuar. Presidenti Bush u shpall fitues pesë javë pas zgjedhjeve, duke shkurtuar periudhën e tranzicionit në vetëm 39 ditë.

Si financohet tranzicioni?

Tranzicionet paguhen nga një kombinim i fondeve federale dhe private. Administratori për agjencisë GSA ka autoritetin ligjor për të dhënë mbi 6 milionë dollarë në fondet federale për ekipin e tranzicionit të zotit Biden. Përveç kësaj, gazeta The New York Times njoftoi se zoti Biden ka grumbulluar të paktën 7 milionë dollarë në donacione private për tranzicionin e tij. Komisioni Federal i Zgjedhjeve lejon donatorë ose organizata individuale të japin deri në 5,000 dollarë në tranzicionin presidencial të një kandidati, fonde që duhet të deklarohen publikisht.

Kush po e drejton planifikimin e tranzicionit të zotit Biden?

Biden ka ngarkuar ndihmësin e tij të vjetër Ted Kaufman të drejtojë ekipin e tij të tranzicionit. Zoti Kaufman ka qënë shefi i personelit të zotit Biden në Senat dhe është gjithashtu një ish senator nga shteti i Delauerit – i emëruar për të plotësuar vendin e lënë bosh nga zoti Biden në vitin 2009 pas zgjedhjes së tij në postin e nënpresidentit. Në prill, zoti Biden i kërkoi zotit Kaufman të fillojë të punojë për tranzicionin në rast se ai fiton presidencën. Zoti Kaufman gjithashtu punoi në ekipin e tranzicionit të ish Presidentit Barack Obama në vitin 2008 dhe ndihmoi në hartimin e legjislacionit të vitit 2010 që siguronte mbështetjen e hershme të qeverisë për procesin e tranzicionit./ db/Abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews