Familjarë të shumtë që presin për orë të tëra për tu informuar për gjendjen shëndetësore të të afërmve, është panorama që ofron çdo ditë spitali Infektiv.
Pavarësisht se janë vendosur koordinatorë, ata vijojnë të mos marrin informacionin e duhur. Shumë prej tyre flasin të irrituar.
“Po të vdesin dhe na thonë është gjallë. Vetëm kur e marrim vesh që ka vdekur”, shprehet një qytetare.
Një tjetër qytetare e revoltuar thotë se gjendja është shumë e tensionuar: “Jemi shumë të tensionuar. Kemi që mbrëmë që presim një përgjigje dhe nuk na thonë asgjë. Të paktën të vijë njeri të na thotë se në çfarë gjendje është”.
Në spitalin COVID, një qytetare e ardhur nga Korça, ka gjetur mënyrën e saj për t’i ardhur në ndihmë bashkëshortit i cili është i shtruar. Shqetësimi i madh bëri që ajo të shkelë protokollin dhe të kthehet në rrezik infektimi.
“Më futën në mëngjes, dhe i dhashë ilaçin e zemrës”, tha ajo.
Mjeku Ilir Allkja, i njohur për qëndrimet kundër sistemit shëndetësor, ka hedhur poshtë pretendimet e komitetit të ekspertëve, se ambulancat në spitalet COVID qëndrojnë në radhë duke zbatuar protokollin.
Ai thotë se nuk ekziston një rregull i tillë duke e vënë theksin në mungesën e kapaciteteve spitalore.
“Nuk ka asnjë protokoll. Janë si të thuash, gënjeshtra. Po të kishte një protokoll, kjo do të na jepej me shkrim”, u shpreh ai.
Allkaj u ka bërë apel qytetarëve të mos qëndrojnë në shtëpi. Ata duhet tu drejtohen mjekëve për të shmangur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
“ Është e rëndësishëm që të gjithë qytetarët të kërkojnë ndihmë, në momentin që parametrat e tyre bëhen kritik”, tha më tej mjeku.