Ballina Aktualitet Kosovë Ndahet nga jeta legjenda e boksit shqiptar

Ndahet nga jeta legjenda e boksit shqiptar

Profesori i boksit shqiptar Ramiz Reka ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 82-vjeçare.

Ramiz Reka nga viti 1948-1953 u inkuadrua në sportin e boksit me grupmoshën e pionierëve. Nga viti 1954 e deri në vitin 1956 është shpallur tri herë kampion kombëtar për kategorine “Junior”.

Nga viti 1957 e deri në vitin 1963 ka përfaqësuar ekipin e boksit të Partizanit. Eshtë shpallur pesë herë kampion i “Spartakiadës së Përgjithshme të Ushtrisë” dhe kampion kombëtar. Në vitet 1958-1963 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të boksit.

E filloi karrierën e tij në vitin 1948, në Durrës, në sallën e teatrit “Teuta”, sot teatri “Aleksandër Moisiu”. Pikërisht aty u mbajt takimi kombëtar i boksierëve më të mirë. Reka hapi siparin e ndeshjeve në një përballje kundër Agim Dollanit, bashkëmoshatarit të së njëjtës lagje, lagjia e dibranëve në Durrës.

Trajneri i parë i tij ka qenë Ilmi Reka dhe më pas vijojnë Sulejman Kokomani, Ymer Reçi, Vlash Fisheku dhe i ndjeri Baku Gjoni. Durrsaku fitoi shumë shpejt simpatinë e boksdashësve durrsakë, jo vetëm pse u shpall tri herë radhazi kampion kombëtar për të rinj, por, sidomos nga mënyra dhe stili i veçantë teknik i boksimit të tij.

Në vitet e mëvonshme kur “babai i boksit”, Ali Kastrati, e mori nga Durrësi te Partizani, Reka jo vetëm do të përpunohej në shumë drejtime dhe do të stërvitej me ngarkesa të larta, por do të radhitej midis boksierëve më të mirë të Partizanit. Ai “tradhëtoi” Durrësin në vitin 1957 për të kontribuar në pasurimin e titujve kampionë si me Partizanin, ashtu edhe në paraqitjet dinjitoze me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ramiz Reka u shpall kampion me Partizanin në vitin 1961 dhe tri herë rradhazi u shpall boksieri më i mirë i Kupës së Republikës (sot Kupa e Shqipërisë) për vitet 1961, 1962 dhe 1963.

Emri i Ramiz Rekës u bë më i dëgjuar, më popullor dhe më i vlerësuar, pasi ai dha një kontribut të madh si trajner, gjyqtar dhe pedagog. Në vitin 1991, Reka u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Boksit, ku hodhi themelet për anëtarësimin e Shqipërisë në AIBA (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit Amator).

Kontributi i tij ka qenë i madh edhe si mësues i edukimit fizik, por më shumë i ndjeshëm si pedagog në ish-Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” si specialist i gjimnastikës. /dp/ KultPlus.com