Ballina Aktualitet Tetovë, ja në cilin muaj ka pasur më shumë humbje jete dhe...

Tetovë, ja në cilin muaj ka pasur më shumë humbje jete dhe raste të reja me Kovid-19 (Infografik)

Në Tetovë dhe pesë komunat përreth nga fillimi i pandemisë ka pasur më shumë humbje jete nga Kovid-19 në muajin qershor, edhe atë gjithsej 34, ndërkaq muajt tjerë vdekshmëria ka qenë thuajse e njëjtë, edhe pse numri i të infektuarve ka pësuar rritje të madhe në tetor. Ndërkaq aktualisht në Spitalin e Tetovës ka 44 pacientë të hospitalizuar, Nuredini nga ky institucion theksoi se hospitalizohen vetëm rastet shumë të rënda, shkruan Portalb.mk.

Nga Qendra për Shëndet Publik na informuan për numrin e rasteve të reja me Kovid-19 nga muaji shkurt deri në tetor, Portalb përgatiti inforgrafik për këtë:

Ndërkaq sot, mjeku Gzim Nuredini nga Spitali Klinik i Tetovës potencoi se aktualisht në repartin infektiv ka të hospitalizuar 44 pacientë, i njëjti shtoi se pritet të ketë rritje të këtij numri dhe se ky spital, është i gatshëm për çdo skenar të mundshëm.

Gëzim Nuredini nga Spitali Klinik i Tetovës.

“Sipas informatave të fundit nga qendra Kovid, kemi 44 pacientë të hospitalizuar fatkeqësisht dje dy pacientë humbën jetën, të gjithë këta pacientë janë në gjendje të rëndë. Fatmirësisht, kemi ulje të numrit të të hospitalizuarve po gjithsesi kur kemi raste të vdekjes është shenjë se virusi din të jetë shumë i rrezikshëm” tha Gzim Nuredini nga Spitali i Tetovës.

Ai shtoi se të gjithë të hospitalizuarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe se qëllimi i spitalit është të hospitalizoje vetëm rastet e rënda, në mënyrë që trajtimi ndaj tyre të jetë sa më efikas.

“Ne mundohemi që të hospitalizojmë vetëm pacientët që kanë nevojë për terapi me oksigjen dhe që kanë një fotografi jo të mirë shëndetësore, ka pacientë të cilët vetë insistojnë të hospitalizohen që jo gjithmonë është e nevojshme sepse mjekët dinë të vlerësojnë parametrat e nevojshme për pacientet që duhet të hospitalizohen” shtoi Nuredini.

Në çfarë bazohen mjekët kur vendosin se a duhet hospitalizuar apo jo një pacient?

“Janë disa detaje mjekësore që çdo mjek i bën, numri i leukociteve, crp-ja, shohin a kanë probleme me ndonjë organ tjetër, dedimerët, gjendjen e gjakut e kështu me radhë. Virusi si sëmundje infektive din të bëje edhe probleme tjera, dhe ky është problemi me këtë pandemi sepse secili organ është i rëndësishëm dhe duhet të kontrollohet në qoftë se ka shkaktuar dëm” tha Gzim Nuredini.

Qytetarët vazhdojnë të mos ju binden masave

“Gjatë 24 orëve të kaluara, sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, në periudhën (17.11./18.11.) për mos mbajtjen e maskave mbrojtëse, gjithsej 133 personave (TE-64 dhe GV-69) u janë lëshuar urdhra pagese për kundërvajtje, në përputhje me Dekretin përkatës të qeverisë. Gjatë kësaj periudhe, nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor në rajonin Tetovë-Gostivar, janë përgatitë vendime të reja për izolim për 134 persona (TE) dhe 83 persona (GV), janë krzer kontrolle ndaj 2001 personave (TE-1238 dhe GV-663) me vendime të tilla dhe nuk janë konstatuar mosrespektime të vendimeve” njoftoi Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme, Tetovë.

Ndryshe, në infografikun poshë nuk janë të dhënat për muajin nëntor i cili sipas të gjitha mundësive dhe informacioneve të deritanishme, pritet të jetë një nga muajt me rezultate më të këqija nga fillimi i pandemisë deri sot.

Shiko IKONOGRAFIKUN