Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi mbrëmë vonë se po këshillon ekipin e tij të fillojë “protokollet fillestare” për një tranzicion në administratën e presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Emily Murphy, drejtuesja e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme të SHBA-së (GSA), një agjenci e pavarur e qeverisë, e informoi Biden-in përmes një letre se ai tani mund të ketë qasje në mjetet e fondeve federale dhe burimeve të tjera për të filluar tranzicionin në pushtet.
“Siç u tha më parë, për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë sfida ligjore dhe certifikime të rezultateve të zgjedhjeve, unë kam vendosur që ju të mund të përdorni burimet dhe shërbimet pas zgjedhore”, tha ajo në letër.
Murphy tha se ajo e mori vendimin në mënyrë të pavarur, duke cituar ligjin dhe faktet në dispozicion.
“Unë kurrë nuk kisha presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga asnjë zyrtar i ekzekutivit, përfshirë ata që punojnë në Shtëpinë e Bardhë ose në GSA, në lidhje me përmbajtjen ose kohën e vendimit tim”, shtoi ajo.
Përmes një postimi në Twitter, Trump falënderoi Murphy-n për përkushtimin e saj ndaj vendit.
Ai tha se Murphy “është ngacmuar, kërcënuar dhe abuzuar, ndërsa unë nuk dua ta shoh që kjo të ndodhë me të, familjen e saj ose punonjësit e GSA-së”.
“Çështja jonë vazhdon fuqishëm, ne do të vazhdojmë luftën dhe besoj se do të triumfojmë! Megjithatë, në interesin më të mirë të vendit tonë, unë jam duke rekomanduar që Emily dhe ekipi i saj të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare, ndërsa i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”, u shpreh Trump.
Këto komente të Trump-it vijnë disa javë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ku Biden është fituesi i parashikuar dhe pritet të inaugurohet në janar. Trump kundërshton rezultatet e zgjedhjeve dhe pretendon se ai do të fitojë garën në Shtëpinë e Bardhë.
Yohannes Abraham, drejtori ekzekutiv i tranzicionit të Biden-it, e mirëpriti lajmin nga GSA, duke u shprehur se “ky është një veprim përfundimtar administrativ për të filluar zyrtarisht procesin e tranzicionit me agjencitë federale”.