Ballina Bota A do të garojë Ivanka Trump për presidente në vitin 2024, në...

A do të garojë Ivanka Trump për presidente në vitin 2024, në vend të babait të saj?

Nga Nina L.Krushcheva, Project Syndicate

Në autobiografinë e saj, “Karta Trump:Të luash për të fituar në punë dhe jetë”, vajza e madhe e Donald Trump, Ivanka, përshkruan një incident që përfshinte babanë e saj dhe gruan e tij të dytë, Marla Maples.

Familja duhej të udhëtonte me avionin e saj privat në Florida, por Maples ishte vonë. Pikërisht kur po bëheshin gati të niseshin, vetëm 5 minuta pas orarit, Ivanka pa një makinë që po ecte mbi pistë. Maples doli me nxitim prej saj. Por kur Ivanka e pa, i ati i saj nuk pranoi që t’i thoshte pilotit të ndalonte.

Gruaja e tij “e tërbuar nga inati dhe e zhgënjyer”, u detyrua të shihte sesi avioni i tyre u zhduk nëpër re. Dikush mund të mendojë se sjellja e Trump ishte e pashpirt dhe mizore. Ndonjë tjetër mund t`a shohë atë si një sjellje të nxitur nga egoja për të ushtruar kontroll mbi ata që nuk arrijnë t’i binden.

Por, në sytë e Ivankës, ai ishte një leksion i domosdoshëm se në jetë duhet të jesh i përpiktë. Dekada më vonë, ajo duket se ka brendësuar shumë nga mësimet e babait të saj. Deri 5 vjet më parë, nuk do të kisha harxhuar asnjë minutë duke menduar mbi Ivanka Trump.

Do t’ia kisha lënë me kënaqësi tabloideve jetën e saj të famshme, së pari si një modele, pastaj si një drejtuese e bizneseve të familjes. Dhe nuk do të kisha shkruar asnjëherë as për babanë e saj. Por kontrolli që kjo familje e veshur në ar i ka bërë pjesës më të madhe të jetës politike, psikike, madje dhe shpirtërore të Amerikës, nuk lë shumë zgjedhje përveç vëmendjes.

Kjo, jo vetëm sepse patriarku i familjes shërbeu për një mandat si president i SHBA-së.

Por, sepse Trump e ktheu Shtëpinë e Bardhë në një degë tjetër të dështuar të biznesit të tij familjar. Për Ivankën, kjo do të thoshte të bëhej një “këshilltare e vjetër” e presidentit.

Katër vjet më vonë, dhe pa ndonjë arritje të dukshme, ajo duket se po përgatitet për një karrierë politike të sajën.

Në një farë kuptimi, Ivanka nuk ka shumë zgjedhje përveçse të bëhet pjesë e politikës. Ajo e ndërtoi karrierën e saj mbi emrin e familjes. Suksesi i stilimeve të saj si modele,varej nga statusi i babait të saj, dhe trashëgimia si modele e nënës së saj Ivana. Dhe marka e saj e modës, ishte thjesht modeli i njerëzve të tjerë, me emrin e saj në etiketë.

Por, pas presidencës malinje të Donald, emri Trump është bërë toksik në botën e modës. Kompani të famshme si “Nordstrom” dhe “Neiman Marcus”, refuzuan disa vite më parë linjat e produkteve të Ivankës. Dhe tani,disa ish-partnerë tregtarë janë ankuar për praktikat e saj jo-etike. Ndërkohë tani, Ivanka synon të çojë përpara markën politike të babait të saj.

Por me Nju Jorkun që i ka ndëshkuar vazhdimisht Trump-ët, vendi i mundshëm i hyrjes së saj në politikë do të jetë Florida, një shtet që babai i saj e fitoi në vitin 2016 por edhe këtë vit, dhe vendi ku ndodhet rezidenca e famshme e Donald Trump,Mar-a-Lago.

Në fund të vitit të kaluar, Donald e ndryshoi vendbanimin e tij zyrtar nga Manhatan në Mar-a-Lago, dhe ai duket se synon ta bëjë atë vendbanimin e tij kryesor pasi të largohet nga Shtëpia e Bardhë, edhe pse banorët e Palm Beach po përpiqen që t`a pengojnë këtë gjë.

Nga ana e saj, Ivanka bleu së fundmi një pronë me vlerë 30 milion dollarë pranë bregut të Majamit.

Kjo lëvizje sugjeron se Ivanka mund të konsiderojë kandidimin për në Senat, sidomos nëse babai i saj planifikon të kandidojë për t’u rizgjedhur në detyrë në vitin 2024. Por, duke pasur parasysh që babai i saj tentoi hapur t`a bënte atë zëvendëspresidente në vitin 2016, ekziston gjithashtu mundësia qënë një moment Donald të bëjë mënjanë, ndërsa Ivanka të fitojë nomimin e republikanëve për presidencialet e 2024-ës.

Për Trump-ët, Ivanka mund të jetë garuesja ideale. Ajo është po aq e pashpirt dhe e prerë sa edhe babai i saj. Por disi më e lëmuar dhe e sjellshme, dhe duket se të paktën pjesërisht është e vetëdijshme për të metat e markës Trump. Sigurisht, nuk është Trump ai që po shpik nepotizmin dhe dinastitë politike.

Ato janë një traditë e vjetër amerikane. Hillary Clinton dhe George W.Bush përfituan më shumë nga emri i familjes sesa arritjet individuale. Po si ka mundësi që unë, me një mbiemër të tillë të shprehem kundër nepotizmit? Së pari, mbiemri im nuk do të më ofrojë dot ndonjë post në Kremlin.

Përkundrazi, në Rusinë e Vladimir Putinit, unë përmendem në libra si një shembull se si nuk duhet të jetë një rus. Edhe kur stërgjyshi im, Nikita, drejtoi Bashkimin Sovjetik, nepotizmi i hapur nuk ishte një opsion. Në vitet 1950, kur ai e emëroi dhëndrin e tij, Alexei Adzhubei, si pjesë të stafit të këshilltarëve, pati shumë kritika.

Në mjedisin okult të politikës sovjetike, anëtarët e familjes bëheshin rrallë figura publike. Dhe kur Boris Jeltsin, presidenti i parë i Rusisë post-sovjetik e bëri vajzën e tij Tatiana këshilltaren e tij zyrtare me një zyrë në Kremlin, kritikët e quajtën atë një veprim qartazi korruptiv.

Por edhe midis përfituesve të nepotizmit, Trump-ët janë një hap përtej korrupsionit. Për ta, nepotizmi është vetëm fillimi i transaksioneve në interesa privatë. Kjo është arsyeja pse karriera politike e lulëzuar e Ivankës duhet t’i shqetësojë që të gjithë.

Ivanka Trump është po aq lakmitare dhe narciziste sa babai i saj, dhe po aq e pamëshirshme sa burri që e braktisi gruan e tij në pistën e aeroportit. Nëse ajo do të arrijë të zgjidhet presidente e SHBA-së në vitin 2024, kjo nuk do të jetë sepse e meriton atë. Dhe ajo do ta përdorë pushtetin e saj ashtu si i ati:vetëm për familjen Trump dhe askënd tjetër. /Përktheu: Alket Goce-abc