COVID-19 mund të lerë pasoja negative afat-gjata tek të shëruarit. Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Oksfordit zbuluan se gjurmët e çrregullimeve në mushkëri ishin të dukshme edhe 3 muaj pas shërimit, tek personat që kanë qenë të infektuar.
Gjurmët u zbuluan përmes një metode inovative të Imazherisë me Rezonancë Magnetike. Për të dalluar më me detaje mushkëritë, 10 vullnetarët pjesëmarrës në studim thithën gaz Ksenon në doza shumë të ulëta për të ndihmuar në krijimin e një imazhi më të qartë gjatë skanerit.
Skaneri shfaqi shenja dëmtimesh në mushkëri tek 8 prej pjesëmarrësve. E veçanta është se ata e kishin kaluar infektimin pa simptoma të rënda dhe nuk kanë pasur nevojë as për ventilim artificial e as për terapi intensive. Skanimi i zakonshëm nuk u ka shfaqur asnjë shenjë dëmtimi në mushkëri.
Ajo që i nxiti shkencëtarët të kryejnë ekzaminime ishte fakti që ata ndjenin lodhje të theksuar dhe vështirësi në frymëmarrje, edhe tre muaj pasi e kishin kaluar infektimin, pasoja që i vuajnë pjesa më e madhe e të shëruarve nga COVID-19. Shkencëtarët kanë në plan ta zgjerojnë studimin tek 100 të shëruar të tjerë, për të vërtetuar hipotezën se pasojat e COVID-19-ës mund të zgjasin me muaj.