Një grua kanadeze ka treguar se po i vuan ende efektet e koronavirusit, 257 ditë pasi u infektua me Covid-19.
35-vjeçarja Ashley Antonio e kaloi sëmundjen me simptoma të lehta, por tani po vuan nga ato që quhen “pasoja afatgjata”. Sot, ajo ka shpesh dhembje koke të fortë dhe enjtje të kyçeve.
“Ka ditë që ndihem mirë, ka të tjera që nuk marr dot frymë kur zgjohem. Kam qenë shumë e shëndetshme, nuk kam pasur sëmundje të tjera më parë. Thjesht, virusi erdhi dhe më shkatërroi jetën”, u shpreh Antonio për CBC.
Sipas saj, iu deshën 5 muaj pushim nga puna për të marrë veten, por edhe sot e ka të vështirë të ngjisë shkallët pa iu marrë fryma, pavarësisht se bënte stërvitje çdo ditë para sëmundjes.
“Mediat dhe mjekët të japin përshtypjen se nga kjo sëmundje ose shërohesh për 10 ditë, ose vdes. Por, ka një grup të madh njerëzish që janë diku në mes, jeta e të cilëve ndikohet në mënyrë të tmerrshme”, shtoi 35-vjeçarja.