Ballina Shëndeti Sa i rrezikshëm është lloji ri i koronavirusit?

Sa i rrezikshëm është lloji ri i koronavirusit?

Në ditët e fundit, më shumë se një mijë raste të një varianti të ri të koronavirusit janë zbuluar në Angli. Rastet janë raportuar kryesisht në jug të vendit.

“Ne kemi identifikuar një variant të ri të koronavirusit që mund të lidhet me një përhapje më të shpejtë në jug-lindje të Anglisë”, tha në një deklaratë Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock.

“Analiza fillestare sugjeron që ky variant po përhapet më shpejt se ato ekzistuese. Duhet të theksoj në këtë pikë që tani për tani nuk ka asnjë të dhënë që ky variant shkakton një formë më serioze të sëmundjes, dhe informacioni i fundit klinik është se nuk ka shumë të ngjarë që ky mutacion të mos i përgjigjet vaksinës”, shtoi ai.

Megjithëse Sekretari i Shëndetësisë theksoi se kjo nuk është ndoshta një mutacion më i rrezikshëm i COVID-19, shkencëtarët ende, për dy arsye, po monitorojnë nga afër këtë situatë.

E para është se nivelet e këtij lloji janë më të larta në zonat me një numër më të lartë të infektuarish, gjë që mund të jetë një shenjë negative.

Virusi mund të pësojë mutacion në mënyrë të tillë që të përhapet më lehtë duke shkaktuar mës shumë raste. Ekspertët tani janë duke punuar në eksperimente në laborator për të përcaktuar rrezikshmërinë e virusit.

Një tjetër arsye pse profesionistët mjekësorë janë më vigjilentë, është origjina e virusit.

“Ekziston një numër çuditërisht i madh i mutacioneve, më shumë sesa prisnim, dhe disa prej tyre duken shumë interesante”, tha mikrobiologu Nick Loman i Konsorciumit COVID-19 Genomics UK (COG-UK), i cili gjithashtu identifikoi këtë variant.

“Ekzistojnë dy grupe thelbësore të mutacioneve, dhe të dyja janë të vendosura në proteinën kryesore të virusit. Kjo proteinë është një lloj çelësi që virusi përdor për të zhbllokuar dyert në qelizat në trupin tonë dhe për t’i sulmuar ato.

Në mutacionin N501, pjesa më e rëndësishme e virusit, e ashtuquajtur receptori (RBD), ka ndryshuar. Këtu ndodh kontakti i parë me sipërfaqen e qelizës njerëzore. Çdo ndryshim që e bën më të lehtë hyrjen e virusit në qelizë ka të ngjarë të përshpejtojë përhapjen e tij, shtoi ai.

Fusha e lidhjes së receptorëve (RBD) është një pjesë kyçe e virusit që gjendet në proteinën e tij, e cila e lejon atë të bashkohet me receptorët e trupit dhe të hyjë në qeliza.

Ajo që është shqetësuese për këtë mutacion është se antitrupat nga gjaku i atyre që mbijetuan nga COVID-19 ishin më pak efektivë në sulmimin e këtij varianti të virusit.

Lind pyetja nëse vaksina do të vazhdojë të jetë efektive nëse ndodhin mutacione të proteinave, duke pasur parasysh që tre prodhues kryesorë – Pfizer, Moderna dhe Oxford – kanë prodhuar vaksina që stimulojnë sistemin imunitar të sulmojë këtë virus.

Profesionistët e shëndetësisë besojnë se do të vazhdojë të jetë efektive sepse sistemi ynë imunitar sulmon pjesë të ndryshme të virusit.

COVID-19 po teston vazhdimisht kombinime të ndryshme të mutacioneve në mënyrë që të mbijetojë. Pasi u shfaq në Kinë një vit më parë, viruri pëson rreth dy mutacione në muaj. Nëse do të krahasonim llojin që po qarkullon në botë me rastet e para në Ëuhan, do të shihnim rreth 25 mutacione në të.

Fillimi i vaksinimit masiv do të ushtrojë presion më tepër mbi virusin, domethënë nëse dëshiron të mbijetojë, do të duhet të ndryshojë ndjeshëm në mënyrë që të infektojë ata që janë imunizuar. Nëse ka një evolucion kaq të përshpejtuar të COVID-19, mund të na duhet të azhurnojmë rregullisht vaksinat, siç bëjmë kundër gripit, për ta bërë atë më efektiv.

Disa ekspertë paralajmërojnë se është e rëndësishme të mos përhapim panik sepse virusi vazhdimisht shndërrohet dhe asnjë ndryshim i rëndësishëm nuk është regjistruar deri më tani.

“Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe racionalë. Ky është një evolucion normal i virusit dhe ne presim që variante të reja të shfaqen dhe zhduken herë pas here”, tha Mikrobiologu Alan McNally nga Universiteti i Birmingham, siç raportohet nga Business Insider.

COG-UK tha në një deklaratë se tani për tani nuk ka asnjë provë që ky variant të dndikojë në ashpërsinë e infeksionit.

“Ne aktualisht po përpiqemi të përcaktojmë nëse ndonjë nga këto mutacione kontribuon në rritjen e transmetimit”, tha COG-UK në një deklaratë.

“Shumica e mutacioneve në SARS-CoV-2 nuk kanë efekt të dukshëm te virusi. Shumë pak mund të ndikojnë; për shembull, përhapja e tij ose ndjeshmëria ndaj përgjigjes imune.

Është e vështirë të parashikosh se sa i rëndësishëm është një mutacion kur shfaqet për herë të parë.

“Nuk ka aktualisht asnjë provë që ky variant (ose ndonjë tjetër i analizuar deri më tani) të ketë ndonjë efekt në ashpërsinë e sëmundjes ose efikasitetin e vaksinës”,shton ai.