Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori të enjten dozën e parë të vaksinës COVID-19.
Duke arritur në Spitalin e qytetit të Ankarasë, Erdogan mori dozën e parë të vaksinës së Kinës, CoronaVac. “Jam vaksinuar”, tha Erdogan në rrjetin social Telegram.
Të enjten herët, punonjësit shëndetësorë në Turqi filluan fazën e pare për vaksinimin kundër COVID-19 në të gjithë vendin.
Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca të mërkurën u bë personi i parë që mori vaksinën kineze CoronaVac në vend. Pas ministrit, anëtarët e komitetit të Bordit Këshillimor Shkencor u vaksinuan gjithashtu.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Turqia ka 1.1 milion punonjës shëndetësorë të cilët do të vaksinohen brenda një muaji.
Dy doza të vaksinës do të administrohen 28 ditë me diferencë. Ata që janë shëruar nga COVID-19 nuk do të vaksinohen në katër deri në gjashtë muaj pas shërimit të tyre.
Më herët të mërkurën, organi zyrtar i Turqisë të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore miratoi CoronaVac për përdorim urgjent kundër koronavirusit të ri.
Grupi i parë i 3 milion dozave të vaksinës COVID-19 të porositura nga SinoVac Biotech e Kinës mbërriti në Turqi në 30 dhjetor.