Nga Gayle Trotter, The Hill
Po sikur ish-presidenti amerikan Donald Trump, të vinte sërish në zbatim “manualin” e tij politik dhe të themelonte partinë e tij politike? Shumë konservatorë besojnë se e majta i vodhi zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020, dhe shpresojnë që ta shpëtojnë vendin nga ekipi socialiste i kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez.
A do t’i bashkoheshin këta konservatorë një partie të re politike kombëtare? Mendoj se po. Dhe nuk ka nevojë të më besoni mua. Një sondazh i fundit i qendrës Rasmusen, zbuloi se 61 për qind e republikanëve bie dakord me idenë se presidenti Joe Biden, nuk i fitoi zgjedhjet në mënyrë të ndershme.
Dhe ky është një aspekt i habitshëm për një këndvështrim, të cilin institucionet tona sociale nuk e tolerojnë. Sipas shumë prej mediave kryesore, mediave sociale, Hollivudit dhe botës universitare, ishte një krim i paramenduar.
Fushata për të ndryshuar pikëpamjen e këtyre amerikanëve ka dështuar, por jo për mungesë përpjekjesh. Po ku duhet të drejtohen këta republikanë? Ata nuk do të heqin dorë nga angazhimi qytetar, vetëm pse janë të padëshirueshëm nga një pjesë e shoqërisë.
Ata dinë më shumë sesa vetëm të zhyten në dëshpërim, duke pyetur se a do të fitojnë ndonjëherë ndonjë palë zgjedhje të tjera. A do t’i bashkoheshin ata një partie të re që i përfaqëson më mirë? Gati gjysma e votuesve republikanë, u shprehën në një sondazh të fundit se do t’i bashkoheshin një partie të re politike të udhëhequr nga Trump, dhe më pak se një e treta do të qëndronte me Partinë Republikane.
Refreni se “ju do të humbni çdo palë zgjedhje të ardhshme nëse e përçani Partinë Republikane”, nuk do t’u bëjë përshtypje atyre që ishin të sigurt se Donald Trump do të fitonte rizgjedhjen në detyrë bazuar në rekordin e tij të arritjeve.
Shumë prej këtyre republikanëve janë lodhur duke i qëndruar besnikë një partie që vetëm kërkon, por nuk jep besnikëri as ndaj votuesve të saj, apo figurës më të suksesshëm të politikave konservatore në 30 vitet e fundit.
Përfaqësuesit e establishmentit në Partinë Republikane, si drejtuesi i pakicës në Senat Mitch Mcconnell, dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Niki Haley, vazhdojnë që të luajnë me 2 porta, duke e fyer Trumpin ndërkohë që shpresojnë të mbajnë pas vetes mbështetësit e tij.
Këta votues e kuptojnë që forcat më të fuqishme në Amerikë janë në një linjë kundër tyre, në një komplot të hapur dhe famëkeq, ku përfshihen shumë institucione elitare, dhe për të cilat flet një shkrim i gjatë i revistës “Time”.
Gjatë vështirësive të dikurshme, udhëheqësit e Partisë Republikane do të pyesnin përherë:“A duam të jemi puritanët e politikës dhe të humbasim, apo të shkojmë drejt qendrës dhe të fitojmë? Në këtë kontekst, “zhvendosja drejt qendrës”, nënkuptonte gjithmonë “animin nga e majta”.
Kjo pyetje ka një histori të gjatë në Partinë Republikane. Dekada më parë, William F. Buckley sugjeroi votimin për kandidatin më konservator në zgjedhjet presidenciale. Rush Limbaugh e ndryshoi rregullin e Buckley dhe i nxiti Republikanët që të zgjidhnin periudhën më konservatore të kandidatëve.
Kur republikanët besojnë se zgjedhjet nuk janë të drejta, ata kanë edhe më shumë nxitje për të emëruar kandidatët më konservatorë. E pse të bëjmë kompromis nëse përfundimi është i ditur? Tani votuesve republikanë po u kërkohet që të mbledhin fonde nga grupet politike me mesazhe të fokusuara të tipit “nëse punojmë më shumë, do të kemi një fat më të mirë herën tjetër”.
Por këto lloj mesazhesh këtë herë po refuzohen. Gratë konservatore që reagojnë ndaj kësaj fushate, ma kanë shprehur hapur shqetësimin.“Unë nuk mendoj se ata e kuptojnë se sa të neveritur janë konservatorët me ata në Uashington. Biznesi si zakonisht nuk është ajo që na duhet në këtë moment”- më tha njëra prej tyre.
“Establimenti i Partisë Republikane, nuk ka të ardhme në asnjë zonë elektorale”- tha një tjetër. “Do të ketë një treg të madh – 74 milionë vota – për një analizë më të ndershme të zgjedhjeve të vitit 2020”- shtoi një tjetër.
Ato e shohin të domosdoshëm hetimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por nuk shohin asnjë lëvizje drejt këtij qëllimi. Ato besojnë se institucionet tona më të fuqishme dhe zërat më me ndikim, e kanë braktisur këtë synim.
Por nëse nuk mund tu besohet zgjedhjeve, çfarë kuptimi ka të kundërshtosh politikat liberale, që në fund do të bëhen ligje? Trump nuk ka qenë kurrë problemi. Në të majtë, kushdo që artikulon dhe zbaton qartazi parimet konservatore duhet të mënjanohet. Tanimë të folurit për unitet, shihet për atë që është:një fjalë boshe, që përdoret për të fshehur kërkesën e nënshtrimit ndaj ortodoksisë liberale.
Votuesit konservatorë mund ta braktisin një Parti Republikane gjithnjë e më jo besnike ndaj votuesve të saj dhe parimeve të veta. Nëse ata votues do të kenë një shtëpi tjetër, kjo gjë mund të varet nga një burrë. A do të shkaktojnë në fund shkatërrimin e Partisë Republikane perceptimet e përhapura mbi zgjedhjeve e 2020-ës?
Tradicionalistët e linjës së Buckley, do të ishin kundër një ndarjeje të partisë, por dihet që vetë Buckley refuzonte rregullat që kishte vendosur vetë. Në garën e tij të pasuksesshme për kryebashkiakun e qytetit të Nju Jork, Buckley iu morën votat nga një kandidat republikan liberal. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al