Nga Agim Blloshmi
Mehmet Skenja nga fshati Dorëz I Librazhdit, nuk ndalet së punuari që kur agon deri sa bëhet natë. Ditën e nis me mjeljen e 4 lopëve, në ndihmë i vjen dhe bashkëshortja.
Më pas ngarkon në kalë çantat me shishet e qumështit dhe niset për në qytet për ta shitur. Për 30 vjet me rradhë ecën mbi kalë 10 km. Tregun në qytet e ka të garantuar. Furnizon me qumësht cdo ditë 30 familje.
Ky është momenti kur klienti I parë I del në hyrje të qytetit dhe ble qumështin.
“Ky qumështi i ka të gjithë bimët”, ka thënë një banor.
Veterineri Jakup Hala ndjek ecurinë e shëndetit të gjedhëve të tij. Jep garanci edhe për cilësinë e qumështit.
“Kujdesem për këtë fermer që mbarështon racën “Xhersej”. Është fermë nën kontroll janë bërë matrikullimet dhe analizat e qumështit. Është i kontrolluar nga shërbimi veterinar i zonës. Qytetarët mund ta marrin qumështin pa problem”, ka thënë Hala.
Pasi shet qumështin 72 vjeçari kthehet në fshat se e presin punët të tjera.
“Kam që 12 vjeç që punojnë në bujqësi. Ngrihem në 6 të mëngjesit dhe punoj deri në 8 të darkës, nuk lodhem fare. Kam 1 hektar tokë e kam punuar për të mbjellë qepë hudhra fasule”, shprehet 72 vjeçari.
Me të ardhurat që ka mbledhur ndër vite tregon se ka mundur të rregullojë herë pas herë dhe rrugën pranë shtëpisë.
Duke punuar çdo ditë Vera dhe Mehmeti kanë rritur dy fëmijë dhe ka ndërtuar dhe këtë shtëpi. /abcnews.al