Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma në Bruksel se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën dhe se në thelbin e tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Ai i bëri këto komente pas një darke punë të organizuar nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë integrimet evropiane.
Në takim morën pjesë; kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç, presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Ndër sfidat më të mprehta është ajo e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.
Bisedimet mund vazhdojnë nga mesi i muajit qershor kur pritet të mbahet takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Do te jetë diku rreth mesit të qershorit. Do të jetë takim për të diskutuar se si do të vazhdohet me dialogun, me çfarë agjende. Kemi nevoje të dakordohemi për procesin përpara, nuk mund të vazhdojmë si në vitet e kaluara dhe me qeveritë e kaluara, duam dialog me parime dhe të përgatitur mirë”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se thelbi është ajo që e ka thënë presidenti i ri amerikan Joed Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togëfjalëshit, “njohje e ndërsjellë”.
“Unë mendoj që me një lidhje të re transatlantike në njërën anë dhe më një sinkronizim më Bashkimin Evropian e brenda Bashkimit Evropian në anën tjetër, dialogu mund të ketë të ardhme më të mirë në muajt, ndoshta edhe vitet në vijim, por më parë muajt se vitet, sesa që ky ishte rasti në gjithë këtë dekadë prej se ai është zhvilluar në këto zyra para meje”, tha ai, derisa po fliste para dyerve të shërbimit të jashtëm të Komisionit Evropian.
Kryeministri Kurti tha se gjatë diskutimeve dhe takimit me zotin Borrell ka vënë theksin tek çështja e liberalizimit te vizave për Kosovën, e cila është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që nuk është përfshitë në regjimin e udhëtimit pa viza.
Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përparojnë më shpejtë drejt integrimeve nëse u përmbahen tri vlerave të rëndësishme: e para është demokratizimi, pra luftimi i autokracitë në Ballkan; e dyta është sundimi i ligjit, pra luftohen oligarkitë në ekonomi; dhe e treta është ballafaqimi me të kaluarën, pra eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës. Edhe më tej në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës edhe kriminelë të paqes që dominojnë në institucionet dhe me partitë politike”, tha kryeministri Kurti.
Përgjatë darkës së punës udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor diskutuan edhe për një kuadër kohor të përparimit drejt integrimeve evropiane.
Gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndodhen në faza të ndryshme të proceseve integruese. Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje të hapjes së kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të fillimit të negociatave. Por, çështja ka ngecur në kundërshtimin e Bullgarisë për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe kjo ka bërë që të pësojë edhe Shqipëria, e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin.
Kosova është e fundit në proces./ VOA/