Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Rekjavik të Islandës për bisedime mbi ndryshimet klimatike si dhe për të marrë pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Arktikut.
Zoti Blinken do të takohet të martën me Presidentin islandez Gudni Johannesson dhe Kryeministren Katrin Jakobsdottir. Sipas Departamentit të Shtetit ai do të diskutojë rreth “përparësive në marrëdhëniet dypalëshe, lidhur me ndryshimin klimatike, të drejtat e njeriut si dhe bashkëpunimin dypalësh e në kuadër të Këshillit të Arktikun“.
Të martën zoti Blinken pritet gjithashtu të vizitojë një fabrikë gjeotermale që ndodhet në Rekjavik.
Sekretari amerikan i shtetit pritet të shfrytëzojë mbledhjen e Këshillit të Arktikut, për një takim me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov. Takimi vjen në një kohë tensionesh të rritura mes dy vendeve. Ai pritet të hedhë bazat për një takim planifikuar të zhvillohet muajin e ardhshëm mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin.
Departamenti i Shtetit tha se takimi Blinken-Lavrov është një mundësi për të diskutuar rreth ndërtimit të një “marrëdhënie më të parashikueshme me Rusinë duke punuar në fusha me interes të përbashkët”.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve që po mbulojnë vizitën e zotit Blinken se administrata Biden ka bërë përparim në marrëdhëniet e saj me Rusinë duke rënë dakord për të zgjatur Traktatin e Armëve Bërthamore (START), por gjithashtu është përballur me vështirësi në disa fusha.
“Që në fillim ne ishim në gjendje të zgjasnim afatet e këtij traktati të rëndësishëm për pesë vjet, por po ndeshim gjithashtu në fusha ku Rusia është sjellë në mënyrë agresive e ka ndërmarrë përpjekje keqdashëse për të cilat, siç thotë presidenti, do të mbajë përgjegjësi”, tha zyrtari.
Shtetet e Bashkuara kanë patur së fundmi mosmarrëveshje me Rusinë lidhur me burgosjen e kritikut të Kremlinit Alexey Navalny, rritjen e numrit të trupava ushtarake ruse në kufi me Ukrainën si dhe mbi një sulm kibernetik ndaj tubacionit më të madh të gazit në Shtetet e Bashkuara, kryer nga hakera që besohet se ndodhen në Rusi.
Kremlini thotë se qeveria ruse nuk është e përfshirë në këtë sulm kibernetik. Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të ndërhyjnë në çështjet e saj të brendshme, përfshirë atë që lidhet me burgosjen e zotit Navalny.
Përpara udhëtimit të tij në Islandë zoti Blinken vizitoi Danimarkën ku zhvilloi bisedime mbi çështje ekonomike, të sigurisë e klimës, si dhe nxitjen që administrata Biden po i bën forcimit të lidhjeve me aleatët e SHBA-së./VOA