Sot nuk do të ketë ndalesë të lëvizjes – orë policore dhe kësisoj, besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut do të mund të falin namazin e teravisë në xhami.
Se do të realizohet falja e teravisë në xhami sonte, për TV21 njoftojnë nga Myftinia e Shkupit.
“Përderisa nuk ka orë policore, besimtarët janë të lirë të frekuentojnë xhamitë për faljen e teravisë sipas vullnetit te tyre”, deklarun nga Myftinia e Shkupit.
Ngjashëm kanë njoftuar edhe nga Myftinia e Kumanovës.
“Në mbrëmje nuk do të ketë orë policore, prandaj myslimanët kanë mundësi ta falin namazin e teravisë në xhamitë e tyre”, njoftuan nga Myftinia e Kumanovës.
Falja e namazeve në xhami bëhet nën masa të veçanta anti-Covid. Besimtarët duhet të ruajnë distancën fizike, të marrin abdes në shtëpi dhe të kenë sexhadet e tyre personale. Ndërkaq, xhamitë rekomandohet të mos mbushin më shumë se 30% të kapacitetit të tyre.
Teravitë do të mund të falen vetëm sonte, për shkak se prej nesër sërish do të hyjë në fuqi ora policore, e cila do të fillojë në ora 21:00 ndërkaq do të përfundojë në ora 05:00 të mëngjesit të ditës së nesërme.
Shfuqizimi i orës policore për sot u bë me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për shkak se sot shënohet festa ortodokse – Pashkët. Orë policore nuk do të ketë as për festën e Bajramit të Ramazanit.
“Përjashtim nga ndalesa dhe regjimi i veçantë i lëvizjes janë orët e mbrëmjes mes datave 1 dhe 2 maj, gjegjësisht gjatë festës fetare Pashkët, dhe mbrëmja mes 13 dhe 14 majit gjatë kohës së festës fetare, Bajrami i Ramazanit”, thuhet në vendimin e Qeverisë./TV21