Që kur filloi pandemia, gazetaria ka patur një rol kritik në pasqyrimin e saj, ndërkohë që është transformuar në shumë drejtime mënyra se si kryhet ajo. Jetesa dhe dokumentimi i pandemisë solli shumë sfida, veçanërisht për gratë gazetare, sipas Koalicionit për Gratë në Gazetari. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo sjell hollësi.
Bllokimet që filluan në mars 2020 ishin strategjitë kryesore të përdorura në të gjithë botën për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
“Siç e dini, gazetarët duhet të jenë në vijën e parë të frontit dhe ata duhet të jenë të pranishëm që të mund të jenë në gjendje të raportojnë. Unë mendoj se në fillim të marsit, gratë gazetare, veçanërisht ato që nuk punonin për një media të caktuar, po përballeshin me sfidën për të gjetur një punë që të mund ta bënin”, thotë Kiran Nazish, gazetare dhe drejtore themeluese e Koalicionit për Gratë në Gazetari – një organizatë që mbështet gratë gazetare.
Ndërsa pandemia merrte jetë, qeveritë morën masa drastike, përfshirë mbylljen e kufijve dhe vendosjen e karantinave, për të mbrojtur sistemet mjekësore nga mbingarkesa. Por disa prej tyre gjithashtu u përpoqën të kontrollonin se si ajo paraqitej për publikun, thotë ajo.
“E pamë këtë në Turqi, Liban, Egjipt, Kinë, Pakistan. Disa nga këto vende përdorën COVID-19-ën për të politizuar çështjen, mes të tjerash duke përhapur keqinformim për gazetarët që e mbulonin”, thotë ajo.
Ajo shpjegon se si:
“Ka ndodhur në Pakistan. Po jap një shembull me një nga anëtaret tona, Asma Shirazi. Sa herë që ajo njofton për përhapjen e virusit, mangësitë qeveritare ose çfarëdo që qeveria nuk po bën, ajo vihet në shënjestër të fushatave dezinformuese. Kemi disa incidente të tjera ku gratë gazetare kanë ndeshur pengesa pasi raportuan në veçanti për COVID-19. ”
Në Turqi, gazetarja Ebru Küçükaydin u dërgua në paraburgim pas njërit prej njoftimeve të saj për koronavirusin dhe më pas u lirua. Qeveria turke e akuzoi atë për hapje paniku. Gazetare të tjera si Wan Noor Hayati nga Malajzia dhe korrespondentja e gazetës The Guardian në Kajro, Ruth Michaelson – u përballën me akuza, u dëbuan ose u ngacmuan për mbulimin e pandemisë, sipas koalicionit.
Vitin e kaluar, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve anketoi gati 560 gazetare nga 52 vende dhe arriti në përfundimin se stresi për 77 përqind të tyre, ishte rritur që nga fillimi i pandemisë.
Catherine Gicheru drejton Projektin e Gazetarisë për Gratë në Afrikë (AWJP) në Kenia, një iniciativë e Qendrës Ndërkombëtare për Gazetarët. Ajo ka parë efektet negative që ka pasur pandemia tek disa gra gazetare në vendet ku diskriminimi gjinor është i përhapur.
“Ka raste në Tanzani, Ugandë, si dhe në Nigeri, që gazetareve u duhet të punojnë nga shtëpia dhe njëkohësisht të kujdesen për familjen. Dhe kjo e trefishon ose e katërfishon punën që një grua gazetare bënte më parë dhe kjo është e vërtetë kudo. Ke ankthin mendor, stresin, frikën që kanë të gjithë, por në përmasa shumë më të mëdha për gratë, veçanërisht ato gazetare“, thotë zonja Gicheru.
Ajo gjithashtu thotë se gratë gazetare kanë humbur vende pune.
“Është një problem në të gjithë botën, shumë gazetarë kanë humbur punën, por shumë prej grave gazetare sidomos në Kenia mund të kenë qenë ose me kontratë ose janë gazetarë të lirë dhe fakti që janë pushuar nga puna ose u është përgjysmuar paga, e bën situatën edhe më e vështirë“, thotë ajo.
Kjo ka ndikuar edhe në mbulimin e temave të tjera të lidhura me gratë, duke përfshirë shëndetin seksual, fistulën obstetrike (një gjendje mjekësore në lidhje me lindjen e fëmijës) dhe gjymtimin e organeve gjenitale./VOA