Ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka paditur Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pas vendimit të tij për të shpallur Berishën dhe familjen e tij si të padëshiruar në SHBA, nën akuzën e korrupsionit.
Në një konferencë për media, Berisha deklaroi se ka udhëzuar avokatin e tij në Francë që të ngrejë padi ndaj Sekretarit Blinken për shpifje publike, nga Gjykata e Parisit
“Jam këtu për t’iu informuar për një vendim të pazakontë. Për arsye që janë tërësisht të pa njohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit ka publikuar dje në mënyrën më të papritur, më shpifëse vendimin. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike, por ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit, e deri dje, nuk ka njeri në botë që mund të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në një aferë të cfarëdoshme korruptive. Prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, sic është Franca, që të ngrejë ndaj z. Blinken një padi direkte për shpifje publike nga Gjykata e Parisit”, tha Berisha.
Më tej, teksa tha se nuk do ta dorëzojë mandatin e deputetit, por as nuk do ta përfshijë Partinë Demokratike në këtë çështje, Sali Berisha deklaroi se beteja e tij në Francë, ndaj diplomatit më të fuqishëm në botë, do të bëhet për nder e dinjitet.
“Beteja ime ka lidhje vetëm me dinjitetin njerëzor, nuk kam unë asnjë lloj shqetësimi tjetër, por kjo është e parevokueshme. Do të mjaftonte një fakt, që unë të merrja vendime krejt të tjera. Por kishin zero fakte. Por prapë nuk humbas, do të bëj çdo përpjekje që të paraqiten në gjykatë provat ndaj meje. Do pranoja çdo provë, por jo prova të montuara në Tiranë nga zyrat e Edi Ramës. Provat le t’i nxjerrin. Tani unë kam hap gjyq, le t’i paraqesin para gjykatësit provat. Ai është diplomati më i fuqishëm i botës, unë jam një qytetar, por që besimin te drejtësia e kam të pakufishëm”, shtoi ish-kryeministri shqiptar.