Qytetarët e Venecias u zgjuan më të lirë këtë të hënë, ndërsa qyteti lagunë u përfshi në zonën e bardhë. Kjo nënkupton se qytetarët duhet të mbajnë maskat dhe distancimin social, por për herë të parë që prej tetorit mund të qëndrojnë jashtë sa të duan. Gjithashtu nuk ka më kufizime për baret dhe restorantet që duhet të mbylleshin në 11 të mbrëmjes.
Marzia Vianello, qytetare: “Nuk jam shumë entuziaste pasi dua të shoh si do të shkojë. Mbase do të ndihemi më mirë kur të vijë mbrëmja dhe të kuptojmë se nuk ka më shtetrrethim”.
Ndërsa vendasit tregohen më të përmbajtur pas më shumë se 1 viti kufizime, turistët shijuan ndjesinë e lirisë dhe idenë se mund të shëtisin në qytetin e gondolave pa kufizime orari.
Ivonne, turiste austriake: “Është diçka e bukur. Deri dje duhet të mbylleshim në shtëpi pas orës 10:00 ose 11:00. Tani restorantet do të jenë të hapura deri kur të duan”.
Robert Pearce, turist nga Franca: “Erdhëm në Venecia pasi menduam se për shkak të covidit nuk do të ketë turistë. Por gjatë fundjavës gjysma e Italisë ishte këtu. Megjithatë, sot që është e hënë, është bosh dhe duket shumë bukur”.
Rajoni i Venetos, ku bën pjesë Venecia, bashkë me atë të Ligurias, Umbrias dhe Abruzzos u bënë zona të bardha të hënën, duke iu bashkuar 3 rajoneve të tjera përfshirë Sardenjën, të cilat kanë qenë të çliruara nga kufizimet që prej javës së kaluar. Më shumë rajone pritet të kthehen në të bardhë në javët në vazhdim, ndërsa infektimet dhe vdekjet po ulen, e më shumë njerëz vaksinohen. Shumica e pjesës tjetër të vendit klasifikohet si zonë e verdhë ku nga e hëna shtetrrethimi do të shtyhet me një orë, deri në mesnatë.