Vijon të ulet me ritme të ndjeshme numri i infektuarve të rinj ditor dhe vdekjeve nga koronavirusi në Itali, duke dhënë një tjetër provë për të gjithë skeptikët se vaksina funksionon.
Kështu, në raportimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet me dije se janë regjistruar 1772 raste të reja me koronavirus, krahasuar me 3100 që ishin një ditë më parë.
Gjithashtu, 45 persona të tjerë humbën jetën, për një total mbi 130 mijë që nga nisja e pandemisë.
Në terapitë intensive ndodhen të shtruar 488 persona ndërsa të shëruarit në 24 orët e fundit janë 2892.
Rajonet që regjistrojnë më shumë raste të reja janë Emiglia Romagna, e ndjekur nga Siçilia dhe Lazio. Aktualisht në të gjithë vendin ndodhen ende 101 mijë raste aktive me covid.
Autoritetet italiane bënë me dije disa ditë më parë se tashmë mbi 75% e popullsisë mbi 18 vjeç i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës dhe tashmë personat vulnerabël kanë nisur të aplikojnë dhe dozën e tretë sipas rekomandimeve.