Vala e fundit e pandemisë po e bën më të paqartë fundin dhe imunitetin e tufës, për shkak se po shfaqen riinfektimet dhe rastet pozitive te personat e vaksinuar që kërkojnë trajtim të specializuar. Ekspertët e Shëndetit Publik presin një valë pandemike të ngjashme me të kaluarën për arsye se imunizimi në 60-70% të popullsisë nuk është i mjaftueshëm, teksa varianti Delta po sfidon shpesh vaksinat dhe imunitetin natyror. Covid-19 ka të ngjarë të trajtohet si grip në vijim. Plani i Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhimin e situatës dhe parashikimet ndërkombëtare për fundin e saj
Pandemia Covid-19 do të jetë një sfidë e gjatë për sistemet shëndetësore dhe shëndetin e popullatës në vend. Mutacionet e reja shpesh më rezistente si varianti Delta, mungesa e antitrupave te një pjesë e popullatës që e ka kaluar virusin dhe ekspozimi i atyre që nuk e kanë kaluar, po e vënë vendin nën thundrën e një vale tjetër të pandemisë.
Pas një qetësimi në qershor-korrik 2021, ku numri i rasteve të reja thuajse shkoi drejt zeros, infektimet u rikthyen në gusht, me mbi 900 raste të reja pozitive në ditë.
Alban Ylli, ekspert i Shëndetit Publik, pjesë e Komitetit të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, tha se imunizimi i popullsisë me 70% nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar një valë tjetër. Ai parashikon një valë të tretë të njëjtë me dy të kaluarat, për shkak të përhapjes së variantit të ri Delta dhe rikthimin e virusit tek personat që e kanë kaluar një herë. Por mjekët që merren me trajtimin e të sëmurëve me Covid-19, pohojnë se, pavarësisht përhapjes, pasojat nuk do të jenë aq të rënda në shëndet sa në valët e tjera.
Në klinikën e specializuar të trajtimit të mushkërive “Hektor Çoçoli” në Tiranë, e njohur si Dispanseria, mjekët thanë se, për shumicën e të sëmurëve, aktualisht simptomat e virusit janë më të lehta dhe nuk po shkaktohet prekje masive e mushkërive si në dimrin 2020-2021.
Mjeku Luan Dyrmishi tha se rastet e infektimeve me Covid-19 që kërkojnë trajtim janë shtuar, por sipas tij nuk janë aq të rënda sa dy valët e kaluara. Vala e tretë po tregon edhe raste të riinfektimit edhe te personat që janë imunizuar në mënyrë natyrore, pasi e kanë kaluar virusin, por edhe tek ata persona që kanë bërë vaksinën. Dallimi është se, rastet e riinfektimeve dhe tek personat që kanë bërë vaksinën janë shumë të lehta dhe simptomat ngjajnë me një grip të lehtë.
Mjekët parashikojnë se vala e tretë do të ketë ndikime më të lehta në vdekshmëri te popullsia, teksa vaksinimi po vijon dhe një pjesë e popullatës, sidomos në Tiranë, është imunizuar. Sipas tyre vaksinimi mbetet një element i rëndësishëm për parandalimin e pandemisë, teksa këshillojnë përdorimin e maskave, të cilat ndihmojë edhe frenimin e virozave të stinës.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,340,339 doza të vaksinës ndaj Covid-19, prej tyre 575,342 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat. Duke iu referuar të dhënave zyrtare në vendin tonë janë infektuar 140 mijë persona, por kjo shifër besohet të jetë gati pesë herë më e lartë, për shkak se shumica kanë zgjedhur të marrin diagnozë radiologjike, ose të mjekohen pa bërë tampon.
Ekspertët e Shëndetit Publik besojnë se 30% e popullsisë është ende e paimunizuar dhe kjo është e mjaftueshme për një valë tjetër pandemike. Për nga aspekti i menaxhimit, kjo valë do të jetë më e lehtë për sistemet shëndetësore pasi infrastruktura është ngritur, stafet mjekësore janë më të trajnuara, protokollet e mjekimit kanë përparuar dhe popullata është më e informuar.
Në aspektin ekonomik, vala e tretë e Covid-19, do të ketë ndikim të tërthortë. Masat e rrepta kufizuese nuk do të kthehen më, por bizneset do të vuajnë rentabilitetin e fuqisë punëtore, ku shumë persona do të duhet të shkëputen nga angazhimet e punës si pasojë e infektimeve. Pandemia do të mbajë frenat mbi konsumin normal, pasi popullata do të priret të kursejë, ose të kanalizojë, një pjesë të shpenzimeve për shëndetin, siç ka ndodhur vitin e fundit.
Valë më e lehtë
Ekspertët e Shëndetit Publik besojnë se 30% e popullsisë është ende e paimunizuar dhe kjo është e mjaftueshme për një valë tjetër pandemike. Për nga aspekti i menaxhimit, kjo valë do të jetë më e lehtë për sistemet shëndetësore pasi infrastruktura është ngritur, stafet mjekësore janë më të trajnuara, protokollet e mjekimit kanë përparuar dhe popullata është më e informuar.
Rikthehen riinfektimet dhe pozitiviteti pas vaksinave
Vala e re e pandemisë po vërteton rikthimin e infektimeve tek personat që janë infektuar më parë dhe tek ata që e kanë bërë vaksinën. Në klinikën e mushkërive “Hektor Çoçoli” në Tiranë, mjekët pohojnë se, ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet dhe disa prej tyre janë riinfektime.
Në mesin e tyre ka të infektuar që janë diagnostikuar me test PCR pozitiv në vjeshtën e vitit që shkoi. Të riinfektuarit janë me shenja klinike të tilla si lodhje, temperaturë e lartë dhe prekje të mushkërive, por sipas mjekëve këto raste janë më të lehta.
Në mesin e të infektuarve ka shumë raste që janë vaksinuar, sidomos me vaksinat kineze, por ka raste pozitive edhe pasi janë vaksinuar me Pfizer dhe kanë nevojë për trajtim me antibiotikë. Të infektuarit e kësaj vale po tregojnë se, virusi do të qëndrojë për një kohë të gjatë dhe do të jetë një barrë në shëndetin e popullatës dhe sistemet shëndetësore.
Mjekët pohojnë se rastet e infektimeve po shfaqen me vatra familjare, teksa presin rritje të rasteve me funksionimin e plotë të institucioneve pas pushimeve dhe rihapjen e shkollave. Instituti Global i Konsulencës “McKinsey” analizoi këto ditë profilin e pandemisë Covid-19, duke referuar se varianti Delta po e bën të largët përfundimin e saj.
Projeksionet tregojnë se, pandemia ka më shumë të ngjarë që të arrijë një pikë përfundimtare epidemiologjike alternative, ku COVID-19 bëhet endemik dhe vendet ta trajtojnë si grip dhe sëmundjet e tjera. Me shumë mundësi, COVID-19 mund të menaxhohet si një kërcënim i vazhdueshëm dhe jo si një përjashtim që kërkon ndërhyrje përcaktuese të shoqërisë.
Por efektet sërish do të ndihen në ekonomi
Në aspektin ekonomik, vala e tretë e Covid-19, do të ketë ndikim të tërthortë. Masat e rrepta kufizuese nuk do të kthehen më, por bizneset do të vuajnë rentabilitetin e fuqisë punëtore, ku shumë persona do të duhet të shkëputen nga angazhimet e punës si pasojë e infektimeve. Pandemia do të mbajë frenat mbi konsumin normal, pasi popullata do të priret të kursejë, ose të kanalizojë, një pjesë të shpenzimeve për shëndetin, siç ka ndodhur vitin e fundit.
Fundi i paqartë
Instituti McKinsey analizoi javën e kaluar se vendet kanë perspektiva të ndryshme për të arritur fundin e pandemisë. Analiza i ndan vendet në tre grupe të përgjithshme (brenda të cilave kushtet kombëtare mund të ndryshojnë:
- Vendet me vaksinim të lartë. Këto vende, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore, kanë gjasa të mbajnë në kontroll pandeminë dhe ta trajtojnë si grip normal që këtë vit.
- Kontrolluesit e rasteve. Ky grup përfshin vende të tilla si Singapori, që kanë qenë më të suksesshmit në kufizimin e vdekshmërisë të lidhur me COVID-19 deri më sot. Ata zakonisht kanë mbajtur kufizime të rrepta kufitare dhe një përgjigje të fortë të shëndetit publik ndaj rasteve të importuara. Banorët e tyre kanë shijuar kryesisht periudha të gjata të normalitetit relativ pa kufizime të shëndetit publik, përveç kufizimeve në udhëtimet ndërkombëtare.
- Vendet në rrezik. Kryesisht duke përfshirë shumicën e vendeve me të ardhura më të ulëta dhe shumë vende me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ky është një grup kombesh që ende nuk kanë fituar qasje në doza të mjaftueshme vaksine për të mbuluar një pjesë të madhe të popullsisë së tyre.
Vlerësimet e imunitetit të tyre të përgjithshëm mbeten aq të ulëta, sa ekziston ende rreziku i valëve të rëndësishme të sëmundjeve. Parashikimet e fundit sugjerojnë se ka të ngjarë që të zgjasë deri në fund të vitit 2022 ose në fillim të vitit 2023, kur këto vende të arrijnë mbulim të lartë të vaksinave. Korniza kohore e mundshme që ata të menaxhojnë COVID-19, si një sëmundje endemike, është më pak e qartë.
Në nivel global dhe kombëtar, situata epidemiologjike dhe e shëndetit publik mbetet dinamike dhe perspektivat për secilin grup të vendeve janë subjekt i pasigurisë. Faktorët që mund të ndikojnë në rezultatet aktuale përfshijnë potencialin për shfaqjen e varianteve të reja (për shembull, një variant që shmang imunitetin e ndërmjetësuar nga vaksina në masën që shpesh shkakton sëmundje të rënda te të vaksinuarit dhe përhapet gjerësisht, ka të ngjarë të ketë efektin më domethënës në perspektivat e çdo vendi për të arritur fundin.
Dëshmi të tjera për dobësimin e imunitetit natyror dhe të ndërmjetësuar nga vaksina me kalimin e kohës, dhe sfidat me nxjerrjen e nxitësve të vaksinave mjaft shpejt për të ruajtur imunitetin.
Sfida të tjera me prodhimin e vaksinave ose përhapjen globale, ndryshimet në mënyrat se si vendet përcaktojnë një barrë të pranueshme të sëmundjeve (për shembull, vendosja e objektivave të ndryshëm për barrën e sëmundjes në popullatat e vaksinuara dhe të pavaksinuara).
Në Shtetet e Bashkuara, nivelet e hospitalizimit dhe vdekshmërisë COVID-19 në qershor dhe korrik 2021 po u afroheshin normave mesatare dhjetëvjeçare për gripin, por që atëherë janë rritur. Sot, barra e sëmundjeve të shkaktuara nga COVID-19 te personat e vaksinuar në Shtetet e Bashkuara është e ngjashme, ose më e ulët, se barra mesatare e gripit në dekadën e fundit, ndërsa rreziqet nga COVID-19 tek njerëzit e pavaksinuar janë dukshëm më të larta./Monitor