Ballina Aktualitet ALTERNATIVA VENDOS NESËR PËR RRËZIMIN E QEVERISË (VIDEO)

ALTERNATIVA VENDOS NESËR PËR RRËZIMIN E QEVERISË (VIDEO)

Në prag të seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar 61 vota deputetësh për ta rrëzuar Qeverinë LSDM-BDI. Nga 61 deputetët e nënshkruar, deri tani vazhdon të rezistojë deputeti i Alternativës Skender Rexhepi, me arsyetimin se deputetët e Alternativës nuk e kanë ditur se pjesë e kësaj nisme do të jetë edhe partia “E Majta”. Në Alternativë vazhdojnë diskutimet për të ndërtuar një qëndrim unik të cilin do ta ndjekin të gjithë deputetët e kësaj partie.

ORHAN MURTEZANI, ZËDHËNËS I ALTERNATIVËS
“Ajo që mund të themi aktualisht se debati brenda organeve të partisë vazhdon. Deri në këtë moment nuk kemi ndonjë vendim konkret. Besoj nesër, më së voni pasnesër do të kemi qëndrim të prerë në lidhje me qëndrimin tonë si Alternativë. Ajo që mund të themi tash është se grupi parlamentar, ose deputetët e Alternativës janë unik dhe të bashkuar, dhe cili do vendim që do të merret do të respektohet nga të gjithë deputetët e Alternativës”.

Vendimi përfundimtar i Alternativës pritet të merret nesër, në mbledhjen e Kuvendit Qendror të partisë  që fillon në orën 18:00 në Tetovë.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE akuzon për presione të ndryshme nga Qeveria ndaj deputetëve opozitarë që të mos votojnë shkarkimin e Qeverisë të enjten. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski në konferencën e sotme për shtyp tha se është e turpshme dhe e padinjitetshme që Zoran Zaev po e shkel Kuvendin me kërcënime për të qëndruar akoma në Qeveri.

 NAUM STOILLKOVSKI, ZËDHËNËS I VMRO DPMNE
“Për fat të keq, përsëriten skenarët me trysni ndaj deputetëve. Informacionet janë se presionet janë intensive dhe nuk kursehen as në keqpërdorim. Zaev nuk di ndryshe, ajo është parë në kuvend, ndërsa me këtë mënyrë edhe veprimin e regjimit e dëshmuan gjatë procesit zgjedhor”

Në vazhdën e përpjekjeve për të siguruar shumicë, edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka zhvilluar dje takime në Kuvend me liderët e dy partive maqedonase, Zoran Zaevin e LSDM-së dhe Hristijan Mickoskin e VMRO DPMNE-së.  /SHENJA/