Ballina Shëndeti Koronavirusi Ballkani në “kthetrat” e virusit, mbushen morgjet me të vdekur nga Covid

Ballkani në “kthetrat” e virusit, mbushen morgjet me të vdekur nga Covid

Nga John Henley, The Guardian

Rumania dhe Bullgaria kanë aktualisht vdekshmërinë më të lartë nga koronavirusi në Europë. Shkaqet kryesore janë paragjykimet, dezinformatat dhe mungesa e besimit te qeveritë dhe institucionet, të cilat kanë çuar në shkallë shumë të ulët të vaksinimit.

“Çdo ditë, një fshat i tërë vdes në Rumani,” tha Catalin Kirstiou, kreu i Spitalit të Urgjencës Universitare të Bukureshtit. Morgu është pothuajse i tejmbushur me viktima të koronavirusit këtë javë. “Çfarë do të ndodhë në një javë apo një muaj? A do të vdesë një fshat tjetër më i madh? Apo një qytet? “Ku do të përfundojë kjo situatë?

Pavarësisht se numri i rasteve të reja ka shënuar rënie, këtë javë Bullgaria regjistroi një rekord të frikshëm vdekjesh. Shkalla mesatare javore e vdekjeve për milion banorë arriti në 22.8, ndërsa mesatarja e BE-së është 3.1. Në Rumani, numri mesatar ditor i vdekjeve arriti në 23.7 për milion javën e kaluar dhe që nga ajo periudhë është reduktuar në 21, sipas OurWorldInData. Numri mbetet tridhjetë herë më i lartë se në Portugali, Francë apo Spanjë.

Pavarësisht numrit të madh të vaksinave të disponueshme, të dy vendet kanë shkallën më të ulët të vaksinimit në Europë: vetëm 34.2% e popullsisë së Rumanisë është vaksinuar plotësisht, ndërsa përqindja ulet edhe më tej në 22.8% për Bullgarinë, raporton abcnews.al

Për krahasim, mesatarja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së është rreth 65.2%, me disa vende si Franca, Finlanda, Italia, Irlanda, Belgjika, Danimarka dhe Spanja që i afrohen ose i kalojnë 70%. Malta dhe Portugalia kanë thyer tashmë barrierën prej 80%.

Kush është përgjegjës për pabarazitë?

Shkalla e ulët e vaksinimit ka zbuluar hendekun e madh midis Europës Perëndimore dhe Lindjes, i cili karakterizohet nga varfëria, moszhvillimi dhe nivelet e ulëta të sistemit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, në shumë nga shtetet ish-komuniste të Europës Lindore, besimi te qeveritë është shumë i ulët.

Hulumtimet kanë nxjerrë në pah se njerëzit e Europës Qendrore dhe Lindore, shumica e të cilëve jetuan nën komunizëm deri 30 vite më parë, kanë shumë më pak besim te qeveritë dhe institucionet e tyre kombëtare sesa ata që jetojnë në vendet perëndimore.

Kjo ka sjellë edhe mosbesimin e publikut ndaj fushatave kombëtare të vaksinimit, ndërkohë që strategjitë alternative, me rekrutimin e mjekëve të familjes apo edhe të priftërinjve të besuar, nuk kanë arritur deri tani t’i çojnë qytetarët drejt qendrave të vaksinimit.

Dezinformatat

Në disa raste, udhëheqësit fetarë dhe politikanët kanë nxitur dyshimin ndaj qeverisë. Për shembull, një prift i Kishës Ortodokse Rumune është ndjekur penalisht për keqinformim, ndërsa Diana Sosoaka, një anëtare e parlamentit rumun, e ka quajtur vazhdimisht pandeminë “gënjeshtra e shekullit”.

Pasiguria politike e ka përkeqësuar situatën. Muajin e kaluar, qeveria rumune u “shkatërrua”, ndërsa në Bullgari, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në 14 nëntor rritën hezitimin e politikanëve për të vendosur masa më të ashpra, nga frika e humbjes së votave.

Në të dy vendet, shumica dërrmuese e viktimave përfshijnë njerëz të pavaksinuar . Në Bullgari, Ivan Poromanski, kreu i Spitalit Pirogov në Sofje, tha se 9 nga 10 pacientë të ICU kanë humbur jetën, raporton abcnews.al

Ora policore

Autoritetet rumune ndërmorën masa më të rrepta pesëmbëdhjetë ditë më parë. Ndër të tjera, ata vendosën një shtetrrethim pas orës 22:00, si dhe bënë të detyrueshme certifikatat e vaksinimit për të hyrë në vende si palestra, kinema dhe qendra tregtare. Numri i të vdekurve të pavaksinuar është shumë i  lartë.

Më shumë se 90% e të vdekurve ishin të pavaksinuar sipas ministrisë së shëndetësisë, ndërsa rreth 85% janë mbi 60 vjeç. Mungesa e besimit, keqinformimi dhe izolimi, për më tepër, pengojnë kryesisht të moshuarit që të vaksinohen.

Megjithatë, Maria Sajin,tha se disa nga të vdekurit ishin vetëm 20 ose 25 vjeç. Ata nuk e kuptojnë se duhet të vaksinohen, se nuk ka ilaçe”, tha ai. “Askush nuk e kupton se vaksinat shpëtojnë jetë.”

“Është shumë e vështirë të bindësh qytetarët”

Valeriu Georgita, koordinator i fushatës së vaksinimit të Rumanisë, tha për Reuters : “Është shumë e vështirë të bindësh njerëzit që të vaksinohen – është çështje e të kuptuarit të jetës dhe rrezikut të vdekjes.”

Georgita vuri në dukje gjithashtu se, ndryshe nga vendet e tjera të BE-së ku shumë të moshuar jetojnë në shtëpi pleqsh, në Rumani shumica janë në azike, ku janë vetëm dhe ku është më e vështirë t’i bindësh. “Ata janë thjesht shumë dyshues.”

/abcnews.al