Nga televizioni bullgar “BNT” thonë se është zbardhur misteri i mospërputhjes së listës së të lënduarve në aksident dhe listës së udhëtarëve në autobusin e kompanisë turistike nga Maqedonia e Veriut.
Sipas televizionit, gabimi ka ndodhur në spitalin “Pirogov”.
Përkatësisht, Shadi Nauf al Saleh ka telefonuar në redaksinë e BNT dhe ka shpjeguar se nuk ka lidhje me aksidentin.
“Ai është shtetas bullgar dhe të shtunën është shtruar në repartin e traumës në “Pirogov”, për shkak të frakturës së krahut. Rezulton se në klinikë ai është futur gabimisht në listën e të lënduarve në autostradën “Struma”. Saleh tashmë ka dalë nga spitali”, shkruan BNT.
Ekipi i televizionit bullgar BTV ka biseduar me të punësuarit e Ndihmës së Shpejtë, të cilët kishin arritur në autostradën “Struma” 12 minuta pasi autobusi kishte marrë flakë. Ata thonë se janë kujdesur për 7 persona të cilët duke thyer xhamin e autobusit, kishin arritu t’i shpëtonin flakëve.
“Gjëja e parë që pamë ishte zjarri afër rrugës. Nuk e dinim se çfarë ishte, pastaj pamë autobusin që digjej. Ishte shumë vapë, kalova pranë. Kisha frikë, isha me dritare të hapura, mos do të shpërthente deri sa kalonim”, thotë dëshmitari Pavel Muziski.
Një minutë më vonë kanë arritur edhe 2 automjete të ambulancës. Me njërën prej atyre makinave janë transportuar katë persona që kanë arritu të dalin nga autobusi. Katër minuta pasi kishin arritu, ambulancat ishin nisur drejt spitalit “Pirogov”.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve nga automjetet e ambulancës, të fundit e kanë transportuar personin që kishte thyer dritaren.
“Gjatë transportit më tha se ishte ulur në sediljen e pasme të autobusit. Ai kishte dëgjuar një zhurmë të fortë dhe autobusi kishte filluar të digjej. Ai kishte kërcyer dhe me këmbë të lënduar e kishte thyer xhamin dhe kishte kërcyer nga xhami për të ikur. Ai vazhdimisht bërtiste, qante dhe kërkonte birin e tij, ai ishte ulur në sediljet e përparme. E kishte thirrur në telefon, po telefoni nuk kishte qasje” tha Lorina Nikolova.
Menjëherë pas kësaj, ekipet e ambulancës janë kthyer në autobus, me shpresën se ka të mbijetuar të tjerë.
“Fotografia ishte e tmerrshme – ata ishin përpjekur për të dalë. Po të mos ishte zjarri, mendoj se nuk do të kishte të vdekur në aksident”, tha dr. Valeri Simeonov.
Koordinatori Nacional për Menaxhimin e Kufijve, Vladimir Pivovarov “Click Plus” në TV21 ka shpjeguar se cilat janë procedurat që një autobus me udhëtarë ta lëshojë vendin dhe nëse në rastin me autobusin e aksidentuar janë respektuar të gjitha procedurat.
Ai thotë se ligji parashikon që ato automjete që dalin jashtë vendit me pasagjerë duhet të pajisen me licencë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
“Administrata doganore, doganierët janë të obliguar të kërkojnë licencë për automjete të tilla, nëse automjeti nuk ka një licencë të tillë, janë të detyruar ta ndalojnë mjetin dhe menjëherë të informojnë Inspektoratin Shtetëror. Ata veprojnë edhe individualisht, janë të autorizuar të shqiptojnë dënim, gjegjësisht kundërvajtje”, tha Pivovarov.
Në vijim deklarata e Pivovarov: