Ballina Shëndeti Koronavirusi Europa në “vorbullën e Covid”, rritet me 5% numri i viktimave gjatë...

Europa në “vorbullën e Covid”, rritet me 5% numri i viktimave gjatë një jave

Retë e zeza të pandemisë kanë mbushur qiellin europian, me Kontinentin e Vjetër që po përjeton një tjetër valë të pamëshirshme infeksionesh. Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se situata në vend është dramatike, gjë që e bën të nevojshme përshpejtimin e programit të dozave përforcuese dhe vaksinimin e skeptikëve.

“Nuk është kurrë vonë për të bërë dozën e parë”, tha ajo. “Kushdo që është i vaksinuar mbron shëndetin e tij dhe të personave që i rrethojnë. “Vetëm në këtë mënyrë mund ti japim fund pandemisë”, tha ajo.

Nën presionin e rritjes së rasteve, qeveria çeke do të marrë nga e hëna një sërë masash vetëm për të pavaksinuarit. Ata që nuk kanë një certifikatë vaksinimi nuk do të mund të marrin pjesë në evente publike dhe do të humbasin të drejtën për shërbime të ndryshme, raporton abcnews.al

Qeveria belge riktheu dje përdorimin e detyrueshëm të maskave për personat mbi 10 vjeç në ambiente të mbyllura. Sipas shifrave deri më tani, 436 mijë persona kanë marrë një dozë të një vaksine nga të cilat 300 mijë ishin doza përforcuese. Ky është shifra më e lartë në tremujorin e fundit.

Gjithashtu edhe në Austri është rritur numri i personave të vaksinuar. Megjithatë, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë dje, incidenca ditore në Austri tejkaloi 14,000. Situata epidemiologjike paraqitet më e rëndë në Austrinë e Epërme dhe Salzburg.

Në vorbullën e COVID ndodhet dhe Hungaria me një numër rekord të rasteve të reja në 24 orët e fundit, duke shënuar mbi 10 mijë të infektuar. Gjatë një deklaratë, OBSH tha se numri i të vdekurve nga koronavirusi në Europë është rritur me 5% javën e kaluar.

Në të gjithë botën, në të njëjtën periudhë, rastet e reja u rritën me 6%, por nga 3.3 milionë raste të reja, 2.1 milionë u shënuan në vendet europiane./abcnews.al