Marsel Skëndaj, një nga personazhet më emblematikë të biznesit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare, pas një sëmundjeve të rëndë.
Marsel Skendaj ishte një prej “pionierëve të kapitalizmit shqiptar të pas viteve 90”. Aktiviteti dhe gjurma që ai ka lënë në mjedisin shqiptar kanë folur shumë më tepër sesa ai vetë.
Nismëtar i prezantimit në sipërmarrjen e re shqiptare, të shumë risive të biznesit dhe prurjeve teknologjike perëndimore, Skëndaj – Marseli, sic ai pëlqente t’i drejtoheshin thjeshtësisht dhe miqësisht njerëzit që kanë punuar me të – nuk ngurroi të angazhohej në sektorë nga më të larmishmit, ku import-eksportet dhe ndërtimi janë klasike, por ku spikasin sidomos ngjarje si themelimi i linjës së parë ajrore private në vend, Ada Air, tek internet provider Adanet.
Por padyshim, një gjurmë të veçantë Marsel Skëndaj ka lënë me kontributin e tij në median e re shqiptare. Emrin e tij mbajnë logo historike të shtypit të shkruar dhe medias elektronike si TV Klan, Revista Klan, gazeta Korrieri, Albanian Daily News etj. Dhe kjo, jo thjesht si investitor, pronar, apo bashkëpronar e themelues. Ai do të mbahet mend si sipërmarrësi modern e qytetar dhe biznesmeni që e kishte të qartë se hapësira profesionale dhe pavarësia në punën e përditshme të gazetarëve ishte një element i padiskutueshëm në forcimin e cilësisë së këtij sektori.
Marsel Skëndaj do te mbetet përfaqësuesi atipik i një epoke të veçantë të historisë së re shqiptare, asaj të post-komunizmit. I guximshëm në një kohë të pasigurt, i qetë në një periudhë të rrëmujshme, elegant dhe i kultivuar në një mjedis shpeshherë harbut e stimulues të injorancës; ai qëndroi besnik i vetvetes edhe kur të tjerë dolën nga vetja.