“Situata aktuale me pandeminë është dramatike”. Kështu shprehet kancelarja gjermane në detyrë, Angela Merkel, duke iu referuar thuajse 53 mijë rasteve me Covid-19 të raportuara në 24 orët e fundit.
Shqetësim të madh ka edhe për numrin e vdekjeve. Sipas saj ,“vala e katërt ka goditur me forcë të plotë vendin tonë. Edhe pse nuk ka më baza ligjore për të shpallur situatën e emergjencës kombëtare për pandeminë, nuk kam asnjë dyshim që jemi në mes të një situate emergjente. Shifrat ditore të rasteve të reja janë më të larta se më përpara, po ashtu edhe numri i pacientëve në njësitë intensive po rritet me shpejtësi. Frikshëm po rritet edhe numri i vdekjeve ditore”.
Shpresën për ta thyer këtë valë të katërt të pandemisë e gjen tek vaksinimi i qytetarëve dhe doza e tretë. “Na duhet progres urgjent në fushatën e vaksinimit dhe gjej rastin që të loboj për vaksinimin. Nuk është vonë për të marrë dozën e parë. Të gjithë që vaksinohen mbrojnë veten dhe të tjerët”, tha Merkel.
Kancelarja në detyrë mori si shembull pozitiv Izraelin duke theksuar se ka frenuar valën e katërt të pandemisë me anë të dozave përforcuese. Nëse nuk merren vendime shpejt, Merkel paralajmëroi për javë tepër të vështira për vendin.