Jakup Hamzaj, xhaxhai i nxënësit që vdiq gjatë sulmit me armë ndaj autobusit në fshatin Gllogjan të Deçanit, tha ai kishte biseduar me babanë e tij vetëm 10 minuta para se të ndodhte rasti tragjik në Gllogjan. Ai tha se nxënësi i kishte thënë babait të tij, se për 10 minuta arrin në shtëpi.
“Me të birin ka qenë 10 minuta para se me ndodhë rasti. Kanë biseduar, i ka thënë babë për dhjetë minuta thuaj mamit jam në shtëpi boma bukën se erdha”, tha ai, për “News 24”. Pasi u vonua, xhaxhai i tij tha se babi e kishte thirrur sërish atë.
Aty një vajzë sipas tij e ka marr telefonin dhe i ka treguar se janë gjuajtur me armë zjarri.
“U vonu nja pesë minuta, kur janë bërë dhjetë u vonu. Ky e ka marrë telefonin dhe e ka thirr. I ka thënë ku je babë, edhe thotë nuk u përgjigjke. Si nuk u përgjigj djali ky u streseve edhe dikush një vajzë apo një nxënës e ka marr telefonin e tij dhe e ka thirr vëllain. I ka thënë ejani se na kanë gjujt, na kanë plagos, ka të vrarë. Ka shkuar vetëm për momentin dhe në vend të ngjarjes ka shkuar i pari”, ka thënë ai.
Për vdekjen e nipit, ai tha se e morën vesh pasi shkuan në Spitalin e Pejës. “Vëllai im ka shkuar fill për Pejë. I kanë çuar viktimat. Unë kam shkuar pas tij. Krejt fshati ka qenë aty. Krejt komuna ka qenë aty. Aty e kam lajmin që veç kanë ndërruar jetë dytë. Në vendin e ngjarjes ka vdekur shoferi. Kur e ka kapur vëllai ai veç kishte vdekur. Pastaj e ka kapur vajzën e këtij fshatarit dhe ia ka qitë në dorë Mustafës prej dritares dhe së fundi e ka kap djalin e vet. Ai thotë se djali ka pasur shenja jete, por për fat të keqka ndërruar jetë”, ka thënë më tutje ai.