Ballina Kronika Vrasjet në Gllogjan, prokurorja: Deri tani janë intervistuar shumë persona, është bastisur...

Vrasjet në Gllogjan, prokurorja: Deri tani janë intervistuar shumë persona, është bastisur një shtëpi

Sahide Gashi, prokurore e rastit të mbrëmshëm në Gllogjan ku u vranë tre persona, në mesin e të cilëve edhe dy nxënës tha se deri tani nuk ka informata të reja për rastin, por bëri të ditur se janë duke intervistuar shumë persona dhe çdo dëshmitar okularë, si dhe kanë bastisur një shtëpi. Ajo në një prononcim për media tha se në orët e mëngjesit kanë bastisur një shtëpi në Gllogjan por që nuk ka rezultuar me ndonjë provë apo identifikim të kryesit apo kryerësve të mundshëm.

Sipas saj, deri tani informatat që posedojnë është përdorimi i një kallashnikovi dhe sipas saj “thuhet se është zbrazur thuajse një karikator”, raporton Telegrafi. “Për fat të keq deri tani nuk ka informatë të re rreth rastit në Gllogjan… Ne prej mbrëmë edhe tani vazhdon me njësitet më elitare të Kosovës hetimi në terren dhe ndjekja e çdo piste edhe çdo informate, verifikimi i atyre informatave.

Jemi në ekzekutim, sigurim të urdhëresave të gjykatës për masat e shumta të fshehta teknike, por edhe urdhëresave të cilat Prokuroria është kompetente t’i lëshojë”, tha ajo, duke shtuar se janë duke intervistuar shumë persona. “Bastisja që është bërë në orët e mëngjesit nuk ka rezultuar me ndonjë provë ose identifikim të kryesit ose kryesve të mundshëm. Bastisja është kryer në Gllogjan”, tha Gashi, duke shtuar se nuk mund të ndajë asnjë informacion nëse rasti ka pasur të bëjë me mosmarrëveshje një linja.

“Duhet pasur mirëkuptim se asnjë informatë nuk guxojmë ta ndajmë për shkak të rrezikimit të hetimeve…Mirëkuptim prej mediave të na lënë hapësirë të punojmë dhe të na ndihmojnë….thërras çdo qytetar që të na ofrojë çfarëdo informate të vlefshme dhe të bashkëpunojë me ne”, tha prokurorja.

Gashi tha se ky është moment i rëndë për familjet e viktimave, e edhe për ata që kanë qenë në autobus dhe kanë përjetuar diçka të tillë. “Me shumë kujdes jemi duke intervistuar çdo dëshmitar okularë… çdo person apo informatë që kemi… jemi të ndarë në shumë grupe dhe jemi duke i koordinuar veprimet… Sa është numri i tyre nuk mund të them por kemi intervistuar shumë persona. Deri tash me informatat që posedojmë është përdor një kallashnikov dhe thuhet se është zbrazur thuajse një karikator. Këto janë deri tani, por hetuesit janë ende në terren, polcia shkencore po ashtu…”, tha Gashi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews